Përse PD-ja do ta fitojë mandatin e 3-të qeverisës
Kur diskutohet për zgjedhjet dhe për mandatin e tretë të Partisë Demokratike herë pas here krijohet ideja sikur një gjë e tillë nuk është e mundur. “Nuk të lë bota”... “Po ja shiko dhe vetë Amerikën”... etj. janë vetëm disa prej klisheve më të shpeshta. Shto këtu që në historikun e pluralizmit politik në vend, asnjë prej mazhorancave qeverisëse nuk ka mundur ta ripërtërisë për herë të tretë kontratën me qytetarin shqiptar, votuesin e saj.
Në fakt, rotacioni politik është shprehja më eksplicite e funksionimit të një demokracie, gjë që do të thotë nëse ajo do të ndodhte vetëm se do të përforconte edhe më tej idenë se “në Shqipëri demokracia funksionon”.
Përveç sa më sipër, vlen të përmendet edhe ajo se nuk ka një ligj të shkruar ose të nënkuptuar, pra që lë vend për interpretim, se një mandat i tretë qeverisës është i ndaluar, aq më tepër i pamundur. Pra, nëse sovrani flet nëpërmjet votës së lirë se kjo mazhorancë duhet të vazhdojë qeverisjen edhe pas 23 Qershorit, atëherë rrugëtimi i saj është i sigurt edhe për 4-vjeçarin e ardhshëm.
Më poshtë, po rendis disa arsye madhore, sipas meje, se pse kjo mazhorancë ka të drejtën morale, politike dhe logjike ta kërkojë mandatin e tretë qeverisës, si garanci për një Shqipëri evropiane, më të mirë, më të begatshme dhe më të sigurt për të ardhmen e saj:
1. Në 8 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, kjo mazhorancë ka treguar se është e aftë të shndërrojë të pamundurën në të mundur. Kur të gjithë e shihnin të pamundur realizimin e Rrugës së Kombit, ishte vetë zoti Berisha insistuesi më i madh i realizimit të këtij projekti. Opozita si gjithmonë kundër. Mazhoranca pro. Rruga e Kombit sot është një prej investimeve më madhore të historisë 100-vjeçare të kombit shqiptar, si i tillë edhe më i rëndësishmi për shumë dekada të tjera me radhë.
Kur opozita votonte kundër rrugës Tiranë-Elbasan, si pjesë e Boshtin të Jugut, ishte kjo mazhorancë e kryesuar nga Kryeministri Berisha, e cila mori përsipër të bëj realitet jo vetëm një premtim elektoral të zgjedhjeve të vitit 2009, por edhe një ëndërr të kahershme të gjithë banorëve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut për t’u lidhur me pjesët e tjera të vendit më shpejt, duke u përkthyer një gjë e tillë në të mira të gjithanshme.
Kur SHBA-të dhe shtetet më të zhvilluara të Evropës pësuan ulje ekonomike dhe disa prej tyre recesion ekonomik, Shqipëria, së paku, edhe përpos rritjes së rrogave dhe pensioneve, kishte “një rritje të lehtë dhe të ngadalshme”. Favorizuese dhe treguese e largpamësisë së drejtuesve të financave shqiptare një gjë e tillë. Këto ishin vetëm shumë pak shembuj që tregojnë se këto vite kanë qenë të begatshme dhe të realizueshme përsa i përket asaj të kthimit të së pamundurës në të mundur.
2. Qeverisja e drejtuar nga Partia Demokratike, nga zoti Berisha, dhe nga pjesëtarët e tjerë të koalicionit, falë kjo edhe reformave të ndërmarra, bëri të mundur që Shqipëria më 2 prill të vitit 2009 të anëtarësohet në aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO, me të drejta të plota, duke u ulur krah vendeve më të fuqishme të botës. Ëndrra euro-atlantike është e kahershme tek shqiptarët, duke filluar nga rilindasit, duke vijuar me nacionalistët, duke vazhduar me thirrjet e studentëve në vitet ‘90 “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Kjo ëndërr nuk mund të lihet përgjysmë. Partia Demokratike e ka treguar që është e gatshme ta bëjë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve.
E kundërta e saj, Partia Socialiste; e më saktë, klani dhe sekti që e drejton sot atë, një parti që, nëse do të perifrazoja një ish-drejtuesin e saj të lartë, përjashtuar nga partia vetëm se nuk mendonte si kryetari i radhës së saj, kjo parti është shndërruar sot në “partinë e Ramës, neopuniste, miliardere, 99-she”. Më 23 qershor është kjo një arsye më e fortë që muri i bllokimit të Edi Ramës dhe Partisë së tij, të thyhet me votë popullore në kah të integrimit dhe ëndrrës së nisur dhe të lënë përgjysmë vetëm për interesa të çastit, vetjake dhe meskine të drejtuesit aktual të PS-së.
3. Politikanët përballë aventurierëve. Ky është përkufizimi më i duhur i dy ekipeve. Nga një anë zoti Berisha me ekipin e tij, përballë tyre zoti Rama me klientët e tij. Ekipi i parë drejtohet nga një politikan profesionit, garanci e vazhdimësisë politike, që ka treguar në gjithë këto vite maturi dhe pjekur, ndërsa ekipi i dytë prej një aventurieri, që ende nuk e pranon se është politikan, që ka marrë përsipër t’i nxjerrë gjithë politikanët e partisë së tij në pension të parakohshëm, e ta mbushë partinë me ish-klientët e tij gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës, biznesmenë, prokurorë, gazetarë të varur njëanësisht etj.; të gjitha këto vetëm për të siguruar qëndrimin e tij në krye të PS-së edhe pas humbjes së zgjedhjeve të qershorit. Eksperimente të tilla kanë treguar se janë të destinuara të dështojnë për shumë arsye. Kjo edhe duke marrë për shembull vendet fqinje.
4. Berisha garanci tek ndërkombëtarët për stabilitet rajonal përballë Ramës, i cili ka treguar, ashtu si më 21 dhe 26 janar, se nuk pyet se çfarë thonë ndërkombëtarët. Një Ballkan “fuçi baruti” është më i sigurt, më i qetë dhe më i kontrollueshëm me një lider politik, të fortë e karizmatik si zoti Berisha se sa me një kryetar bashkie, i shndërruar në kryetar partie, që synon të bëhet me çdo kusht Kryeministër, por, gjithsesi, pa karizmën dhe autoritetin e duhur për, së paku, shqiptarët e tjerë, shpërndarë në 5 shtete. Rrjedhimisht, një politikan lokal, pa vizion ndërkombëtar përballë “një ujku të vjetër” dhe me përvojë të bollshme për këto punë.
5. Përveç sa thamë më sipër, ajo që vlen të përmendet e fundit, edhe pse jo për nga rëndësia, është se në këto 8 vite qeverisjeje e gjithë Shqipëria ka qenë një “kantier ndërtimi” në të gjitha fushat, sektorët e dimensionet. Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, reformat e ndërmarra në arsim, shëndetësi, subvensionimet në bujqësi, infrastruktura rrugore, reforma fiskale, që ka synuar uljen e herë pas hershme të taksave etj., janë vetëm disa indikatorë të drejtpërdrejt që masin ndryshimin pozitiv, gjë që do të përkthehet në një votë masive dhe popullore për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit.
Shqipëria e vitit 2013 as që mund të krahasohet me atë të vitit 2005, ndërsa ajo e 2017 as që do të mund të krahasohet me këtë të 2013. Kjo falë qeverisjes së Partisë Demokratike.
...