Rinia dhe alkooli/ Nga argëtimi në varësi, arsyet dhe pasojat e konsumimit të alkoolit te të rinjtë

Në shoqëritë bashkëkohore, konsumimi i alkoolit është kthyer në një fenomen gjithnjë e më të përhapur, sidomos mes të rinjve. Për shumë prej tyre, alkooli shihet si një mënyrë për t’u argëtuar, për t’u çliruar nga stresi apo për të harruar problemet e përditshme.
Megjithatë, një numër i madh të rinjsh e konsumojnë alkoolin pa menduar për pasojat që ai sjell. Përveç dëmeve fizike, përdorimi i tepërt i alkoolit ndikon negativisht edhe në shëndetin mendor, duke shkaktuar probleme psikologjike dhe emocionale.
Spero Binishi, mjek psikiatër pranë shërbimit të QKSHM, Korçë, u shpreh për RTSH se, “Përdorimi i alkoolit shkakton sjellje impulsive, humor të irrituar, veprime të nxituara, të cilat çojnë në vendimmarrje të gabuara, dhunë dhe agresivitet të shtuar. Kjo më pas kalon edhe në probleme ligjore dhe konflikte familjare. Sipas statistikës së OBSH, kjo shkakton 25% të vdekjeve tek të rinjtë.”
Gjithashtu, Binishi nënvizon se alkooli po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e kulturës së festimeve dhe aktiviteteve shoqërore të të rinjve, duke u kthyer në një zakon të përditshëm që rrezikon të normalizohet.
/rtsh.al/