Aksident në Lushnje/ Humbi kontrollin e biçikletës dhe doli në rrugë, përplaset nga automjeti 43-vjeçari

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm (18 mars) në Lushnjë, në zonën e bypass-it të qytetit. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një automjet tip “Benz” ka përplasur një 43-vjeçar O.P., i cili po lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i biçikletës ka pësuar dëmtime në këmbë dhe është transportuar menjëherë në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa bëhet me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake dyshohet se aksidenti ka ndodhur pasi drejtuesi i biçikletës ka humbur kontrollin dhe ka dalë në karrexhatë, në momentin kur po kalonte automjeti. Edhe pse drejtuesi i mjetit ka tentuar të frenojë, përplasja nuk është shmangur dot.
/rtsh.al/