Rinis gjyqi ndaj Ramush Haradinaj, dëshmon Kabashi

Në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë ka vijuar edhe sot rigjykimi kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në rigjykimin e pjesshëm që filloi ditën e enjte do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën perëndimore.
Në seancën e sotme po dëshmon ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi i cili konsiderohet dëshmitar kyç në rigjykimin e Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt. I pyetur nga prokurori i çështjes në lidhje me burgun e Jabllanicës, Kabashi ka deklaruar se nuk ka ekzistuar një burg i tillë por atje ka pasur vetëm kazerma në të cilat rrinin ushtarët. “S`ka pasur persona të burgosur në Jabllanicë. Ka pasur vetëm kazerma ushtarake” ka deklaruar Kabashi.
Ai gjtihashtu është shprehur se në Gjykatën e Hagës nuk po bëhet drejtësi, ndërsa hetuesit, sipas tij kanë bërë gabime.
“Ju nuk keni bërë asgjë për krimet në Serbi. Nuk kam çfarë të përgjigjen. Nëse doni në çoni në burg. Ju duhet të pranoni gabimet që keni bërë. 200 vetë janë vrarë në burgun e Dubravës dhe 10 vetë janë vrarë në bodrumin e burgut dhe unë kam qënë prezent dhe nuk është bërë asgjë në lidhje me këtë” iu është drejtuar Kabashi prokurorit.
Më tej prokurori i çështjes ka paraqitur disa vizatime që sipas tij ish-pjesëtari i UÇK-së Shefqet Kabashi ka bërë kur është marrë në pyetje në lidhje me të ashtëquajturin burgu i Jabllanicës por ai është shprehur se ato tregojnë vetëm për kazermat ushtarake.
Ndërkohë aktualisht seanca po zhvillohet pa praninë e mediave, me urdhër të drejtuesit të gjyqit. Shefqet Kabashi u akuzua për mospërfillje ndaj Gjykatës së Hagës, dhe ndaj tij u mor masa e arrestit pasi nuk pranoi të dëshmonte.
Ndërkohë më 21 korrik të vitit të kaluar, Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte.
Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata kishte pranuar ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t`i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesor të rastit.
Ramush Hardinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t`u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat për siç thuhet trajtim mizor dhe torturë.