Kosovë-Serbi, Reeker përfaqësuesi i SHBA në dialog

Diplomati Philip Reeker do të përfaqësojë Qeverinë e Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në këtë proces, më herët ka qenë i përfshirë Thomas Countryman, por ky është nominuar për një post tjetër nga Presidenti Obama. Ndërkaq, në ekipet negociatore të Kosovës, Serbisë dhe BE-së nuk ka ndryshime.
Pavarësisht zhvillimeve në Veri dhe përplasjeve mes politikanëve të Kosovës dhe Serbisë, raundi e ri i dialogut do të vazhdojë në Bruksel, më 2 shtator.
Vazhdimi i këtij dialogu nuk kushtëzohet as me zbatimin e plotë të marrëveshjes së KFOR-it me palët që nënkupton heqjen e të gjitha barrikadave në Veri.
Në këtë proces nuk ka ndryshuar as përbërja e delegacioneve. Të dyja palët do të përfaqësohen nga negociatorët e njëjtë. Edita Tahiri do të udhëheqë delegacionin e Kosovës, kurse Borislav Stefanovic do të kryesojë sërish delegacionin serb.
Me gjithë pakënaqësinë e Prishtinës me sjelljen e negociatorit serb, që shëtiste nga një barrikadë në tjetrën gjatë rebelimit të serbëve në Veri dhe inkurajonte ata të mos lëshojnë pe, deri më tani pozita e tij si udhëheqës i bisedimeve në emër të Serbisë nuk ka lëvizur.
As në kampin e ndërmjetësve të Bashkimit Europian nuk është njoftuar për ndonjë ndryshim. Këshilltari i Baroneshës Ashton, britaniku Robert Cooper vazhdon të jetë lehtësues i dialogut. Pranë tij, do të jetë i ulur edhe Pierre Mirel, drejtor për Zgjerim në Komisionin Europian, Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Fernando Gentilini, si dhe një diplomate e BE-së nga Greqia.