E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqet Mark Marku dhe i ankohet Berishës se LSI po largon demokratët nga puna

Ishte si një flakë shkrepëse ajo e Mark Markut. Kur gjithkush mendoi se Marku do e çonte në një tjetër nivel betejën e tij për atë që e quante rithemelim të PD, deputeti u zhduk nga skena.

Edhe kësaj here nuk është se është shfaqur publikisht, por ka folur në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Siç raporton Shqip, Marku i është ankuar Berishës në mbledhjen e grupit se përfaqësuesit e LSI po largojnë elektoratin demokrat nga puna. Ai ka përmendur konkretisht spitalin e Rrëshenit, në zonën e tij elektorale. Aty drejtori ka nisur të largojë nga puna votuesit demokratë, për ti zëvendësuar me ata të LSI. Marku ka përmendur të paktën shtatë persona të larguar nga drejtori LSI-st, Gjovalin Bushi. Berisha i ka thënë se do interesohet për këtë çështje, por edhe ai nuk ka se çfarë i bën 20 përqindëshit të LSI-së.

Marku është ankuar edhe më parë për LSI, ndërkohë që mes demokratëve dhe LSI-stëve ka një betejë të heshtur, por shumë të fortë në bazë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›