Rishikimi i buxhetit, shkurtohen 100 milionë USD nga investimet
Zëri i investimeve në buxhet me rishikimin e buxhetit do të shkurtohet me rreth 100 milionë dollarë. Ndërsa pavarësisht sugjerimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave në total do të shkurtojë rreth 16 miliardë lekë ose 160 milionë dollarë. Në draftin e buxhetit të rishikuar është parashikuar që zëri i investimeve të shkurtohet me 9.3 miliardë lekë. Ministria e Financave ka konkretizuar draftin e rishikimit të buxhetit 2011 me parametrat e tij të rinj. Burime konfidenciale nga ky dikaster bëjnë të ditur për se zëri i investimeve do të shkurtohet me 9,3 miliardë lekë, ndërsa fondi total i shkurtimeve do të jetë rreth 16 miliardë lekë më pak, krahasuar me parashikimin e fillimit të këtij viti. Shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Sipas këtyre burimeve, sektorët që do të preken më tepër, do të jenë arsimi dhe shëndetësia, ndërsa rrugët dhe ujësjellësit nuk pësojnë ndryshime nga planifikimi i fillimvitit. Investimet në buxhetin e fillimvitit ishin 82.5 miliardë lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit të gjysmës së dytë të vitit ato do të jenë në vlerën 73.2 miliardë lekë. Deri tani janë çelur mbi 2000 projekte, nga të cilat 50% e tyre janë realizuar, sqarojnë të njëjtat burime. Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, ky dikaster ka analizuar ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte të kalojnë në ato që po ecin më mirë. Këto ndryshime pritet të miratohen në Qeveri këtë javë. Kryeministri Berisha është shprehur se në ndryshimet në buxhet do të ulen shpenzimet për çdo institucion, ndërsa është premtuar se edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve.