Berisha kundër ultimatumit të FMN për pagat dhe pensionet
Taksat nuk do të rriten. Garancinë e ka dhënë dje kryeministri i vendit Sali Berisha në mbledhjen e grupit Parlamentar të PD-së, pas një kërkese të bërë para pak ditësh nga Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen e taksave, si një nga versionet e rikuperimit të të ardhurave buxhetore. “Ne nuk do të rrisim taksat. Ne do të rrisim performancën gjithnjë e më shumë. Ne besojmë se, duke konsoliduar disiplinën fiskale dhe duke mos rritur taksat, krijojmë më shumë vende pune dhe më shumë rritje”, tha Kryeministri dje para deputetëve. Ai vwrejti se FMN pa arsye kërkon rritje taksash
“Ne kemi nevojë për biznese, për lulëzimin e tyre”, shtoi Kryeministri. Berisha pranoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për rritjen e rrogave dhe ky shqetësim është i kuptueshëm. Por, sipas tij, edhe ky shqetësim i FMN nuk do të merret në konsideratë nga qeveria, pasi çështja është se rritja e rrogave ka të bëjë me investimin në burimet njerëzore. “Ndaj dhe ne do të vazhdojmë politikën tonë të rritjes së rrogave”, u tha ai deputetëve. Kryeministri vlerësoi përfshirjen e shitjes së ilaçeve në TVSH, duke shtuar se kjo ka ndikuar në rritjen e gamës së barnave të rimbursueshme. Investimet private janë dyfishuar dhe janë shumëfishuar në kohën më të vështirë. Vetëm në Tiranë dhe Krujë, në një hark kohor njëvjeçar, në sipërmarrjet e mëdha, pa llogaritur të mesmet dhe të voglat, janë regjistruar mbi 400 milionë euro investime. “Sot mora një të dhënë shumë interesante e shumë të rëndësishme. Në pesë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar sipërmarrje me regjim përpunimi aktiv apo ndërmarrje fason njëzet kompani të reja, kundrejt vetëm pesë deri në dhjetë maksimumi që janë regjistruar në vitet e mëparshme”, tha Berisha. Sipas tij, kjo e dhënë është mjaft pozitive për shkak se kompanitë fason janë kompanitë e punësimit më masiv, më të fuqishëm. ”Vërtet kemi humbur në taksa dhjetë apo qoftë dhe pesëmbëdhjetë milionë euro, por janë punësuar dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë; është rritur prodhimi dhe eksporti i Shqipërisë; është fituar shumë më tepër sesa është humbur”, tha Berisha. Veç të tjerash Kryeministri tha se vendi pret një fluks të madh turistik. “Unë nuk them se është bulevard me lule. Unë kam mirëkuptim për kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për disa kërkesa që misioni ka bërë në vizitën e tij të fundit. Por nuk mund të them që ne do të rrisim taksat”, shtoi ai. Sipas tij, reformat bëjnë që Shqipëria të vazhdojë projektet e saj transformuese të vendit; të vazhdojë në mënyrë persistente politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, ndërkohë kur këto vende i kanë ulur rrogat e pensionet nga 25-39 për qind dhe u kërkohet të vazhdojnë me ulje të tjera shumë më të mëdha. Ndërsa Shqipëria vazhdon rritjen më të madhe. “Të mendosh që në kohën e krizës më të madhe europiane u dyfishuan rrogat e mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe u dyfishua rroga mesatare në tërësi, realisht të duket e paimagjinueshme”, u tha Berisha deputetëve të djathtë. Sipas Kryeministrit, ky është një realitet, sepse modeli ynë ekonomik funksionoi.