E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i ri i ERE-s, Ramadani: Do rrisim penalitetet ndaj operatorëve

Bashkë me stafin profesional që ka ERE do të përpiqemi që, duke futur zhdërvjellësinë e ligjeve dhe të kontratave për të arritur rezultate sa më të mira në dobi të konsumatorit, tha dje për mediat, Sokol Ramadani, kryetari i ri i Entit Rregullator të Energjisë, që pak ditë më parë zëvendësoi në këtë detyrë Bujar Nepravishtën. Ai tha se shumë shpejt do të përfundojmë kontratën për konsumatorët familjarë dhe procesin e standardizimit të matjeve. E drejta do i kalojë DPM-së për të bërë kolaudimin e matësve. Kolaudimi nuk do të bëhet më nga operatori që shet, por do të bëhet nga një institucion i pavarur dhe nuk do të lejohet që konsumatorit t'i preket matësi. E gjithë kjo procedurë do të jetë në dobi të konsumatorit. “Ne jemi një institucion që shohim tarifat. Duke kontrolluar mirë tarifën e energjisë me ato që shprehen, shpenzime, investime apo probleme të tjera që përfshihen te tarifat, do të marrim në konsideratë kërkesat e operatorëve të ndryshëm dhe do të marrim vendimet tona në ndihmesë të konsumatorit”, tha ai. Do të përpiqemi më shumë që përveç tarifës të rrisim dhe cilësinë e parametrave të energjisë elektrike, shtoi. “Do të bëjmë ç'është e mundur që të penalizojmë operatorët, duke rritur masën e penalitetit, nga prodhuesit, te transmetuesi dhe te shpërndarësi. Të gjithë do të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe ne do të krijojmë një normë për penalizimin e tyre. Nëse operatori nuk do të përgjigjet me saktësi për një periudhë të caktuar, ne do të kërkojmë nga Kuvendi dhe Qeveria që të rriten masat e penalizimit” tha Ramadani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›