Rishikohen formularët e aplikimit për përdorimin e burimeve ujore

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në procedurat dhe dokumentacionin për përdorimin e burimeve ujore në vend.
Vendimi i ri parashikon rishikimin e formularëve të kërkesës për leje dhe autorizime, si dhe dokumentacionin shoqërues përkatës. Konkretisht, ndryshimet prekin formularin nr. 23 për kërkesat për përdorim të burimeve ujore nëntokësore për ujë të ambalazhuar, ku është zëvendësuar tabela e dokumentacionit teknik.
Po ashtu, është zëvendësuar formulari nr. 38, që lidhet me kërkesat për autorizim për ndërtimin e strukturave ankoruese, portuale dhe ishujve artificialë në trupa ujorë.
Vendimi përcakton se kërkesat e paraqitura para hyrjes në fuqi të tij do të shqyrtohen sipas formularëve ekzistues në momentin e aplikimit.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/a.f/r.e/