Rishikohet buxheti, rriten me 11.8 mld lekë shpenzimet, shtohen fondet për vaksinat

Mbi 11 miliardë lekë është shuma e shtuar në buxhetin e shtetit për zërin e shpenzimeve. Brenda 6 muajsh për 2021, ky është rishikimi i 4 i buxhetit, duke ndryshuar thuajse të gjitha pritshmëritë për të ardhurat dhe shpenzimet. Në aktin e katërt normativ të miratuar në 22 qershor janë rritur shpenzimet dhe deficiti buxhetor, dhe mbeten pandryshuar pritshmëritë për të ardhurat edhe pse të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për rimëkëmbje ekonomike.
Shpenzimet për vitin 2021 do të jenë mbi 610 miliardë lekë, nga 598.2 miliardë lekë që ishte parashikimi në muajin prill të këtij viti. Pra, në këtë rishikim të fundit, rriten shpenzimet me 11. 848 miliardë lekë, aq sa edhe deficiti buxhetor. Nga kjo shumë, më shumë se 1 miliardë lekë, i shtohen të ardhurave të pushtetit vendor, ku 900 milionë lekë do i jepen Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Nga ana tjetër është ulur me 1 miliardë lekë fondi për rimbursimin e medikamenteve që përdoren për kurimin e COVID-19, nga 1.2 miliardë që ishte ka mbetur 200 milionë lekë. Ndërkohë fondi prej 1 miliardë lekësh që hiqet nga rimbursimi do të shkoj në fondin rezervë dhe do të përdoret për koston e vaksinave. Po ashtu, është rritur me 2 miliardë lekë fondi rezervë i cili tashmë është 8 miliardë lekë.
Ndërkohë, bazuar në tabelat që shoqërojnë aktin normativ, shpenzimet e institucioneve rriten me 9.2 miliardë lekë, krahasuar me rishikimin që u bë në prill, dhe pjesën më të madhe e merr ministria e Infrastrukturës, të cilës i shtohet një fond prej 6.9 miliardë lekësh, që shkojnë për infrastrukturën rrugore dhe për ujësjellës kanalizime.
Fondet do të shkojnë për avancimin e punimeve në unazën e Tiranës, për baypass-in e Vlorës, si dhe për përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë, thuhet në Relacion. Rritja e dytë më e madhe i është bërë buxhetit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me plus 3.2 miliardë lekë, ndërsa janë ulur shpenzimet për shumicën e institucioneve të tjera.
TOTALI I SHPENZIMEVE
Ishin 598.2 mld lekë
Bëhen 610 mld lekë
Diferenca +11.848 mld lekë
BUXHETI VENDOR
Ësht렠 57,840 mld lekë
Ishte 56,826 mld lekë
Diferenca +1,014 mld lekë
RIMBURSIMI I ILAÇEVE PËR COVID-19
Ishte 1.2 mld lekë
Bëhet 200 mln lekë
Diferenca -1 mld lekë
FONDI REZERVË
Ishte 6 mld lekë
Bëhet 8 mld lekë
Rritja +2 mld lekë
MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS
Ishte 49,875 mld lekë
Bëhet 56,852 mld lekë
Diferenca +6,977 mld lekë
FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT
Ishte 14,529 mld lekë
Bëhet 17,729 mld lekë
Diferenca +3,200 mld lekë