E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 2009, janë kryer 78 zhvarrime

Departamenti për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, paraqiti sot raportin njëvjeçar të aktiviteteve lidhur me identifikimin e personave të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

Drejtori i këtij departamenti, Arsim Gërxhaliu, tregoi se nga 9 dhjetori i vitit 2008 deri më 8 dhjetor të këtij viti, departamenti që kryeson ai ka kryer 135 operacione fushore, përfshirë edhe zhvarrimet.

Sipas tij, gjatë vitit që po lëmë pas, janë kryer 78 zhvarrime; 621 mostra të eshtrave janë marrë për analizën e ADN-së; 101 individë janë zhvarrosur; janë kryer 82 vizita tek familjet e të zhdukurve dhe 80 të vdekur janë dorëzuar tek familjet. Ndërkohë janë edhe 154 individë të identifikuar dhe me dëshirën e familjeve presin dorëzim-pranimin.

Gërxhaliu po ashtu tha se gjatë kësaj periudhe janë mbajtur 101 takime me asociacionet e familjeve, me organizata joqeveritare dhe ato qeveritare. Punë tjetër që ka bërë Departamenti për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore është lëshimi i 16 dokumenteve informuese për shoqërinë civile.

Nga lufta e fundit në Kosovë, mbesin të zhdukur edhe rreth 2 mijë persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›