Risi në universitetin e Shkodrës, programi “Trashëgimi Kulturore” sjell studime mes Shkodrës dhe Italisë

Në prag të vitit të ri akademik 2026–2027, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” sjell një risi në ofertën e tij. Në bashkëpunim me Universitetin e Salentos në Itali, ofrohet programi Bachelor “Trashëgimi Kulturore – Beni Culturali”, që u mundëson studentëve të studiojnë në të dy vendet. Viti i parë zhvillohet në Shkodër, i dyti në Itali dhe viti i tretë sërish në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Pedagogia Prof. Dr. Nertila Ljarja flet për avantazhet e kësaj dege dhe mundësitë që ajo u krijon studentëve.
“Është një risi për Universitetin e Shkodrës. Mund të them që është një risi edhe për shumicën e universiteteve në Shqipëri. Ky tip diplomimi është hera e parë që hapet një program i tillë dhe është bachelor, pra tre vite studimi, gjashtë semestra me 180 pikë kredite, si çdo program tjetër bachelor. Dhe e rëndësishme është sepse brenda këtyre tre viteve ka dhe mundësi mobiliteti të studentëve, lëvizshmërisë së studentëve”, tha ajo.
Programi përfshin fusha si trashëgimia kulturore, historia e artit, arkeologjia, muzeologjia, antropologjia dhe arkitektura. Studentët do të kenë mundësi të përfitojnë edhe një diplomë të dyfishtë nga dy universitetet, pas plotësimit të kërkesave të programit.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/