Zilia, si fatkeqë si politike e Ramë s Madhesia e germave: Nga Feti Zeneli 13/12/2010 10:41:00

Kreu i Partisë Socialiste, Edvin Rama, ndodhet sot në një moment të vështirë, përveç të tjerash, edhe nga që i përjeton si një ziliqar i pashpirt arritjet e kundërshtarëve të tij politikë. Ai bën pjesë në atë kategori politikanësh, që siç thotë Agide, mbret i Spanjës në vitet 427-399 p. e. r., “…vuajnë dyfish më tepër se njerëzit e tjerë, pasi ata vuajnë si për të këqijat që kanë vetë ashtu dhe për të mirat që kanë të tjerët”. Një tjetër bashkëkohës i Agides, shkrimtari dhe filozofi i vjetër grek Bion Boristenit, do ta portretizonte me fjalë të tjera njeriun ziliqar duke thënë se ai “… trishtohet ose kur ai vetë ka rënë në fatkeqësi, ose kur dikujt tjetër i ka ecur”. Megjithatë, Edvin Rama është ziliqar i një lloji të veçantë, për të cilin, të gjithë filozofët e botës e botës së lashtë, kohë kur veset njerëzore ishin më dominuese, nuk e kanë thënë atë që duhet.
Në përgjithësi këto përcaktime të vjetra për portretin e ziliqarit me pak ndryshime të vogla janë aktuale edhe sot; megjithëse bota moderne ka bërë përpjekje të gjithanshme për ta pastruar dhe emancipuar shpirtin njerëzor nga veset apo ligësitë e së shkuarës. Megjithatë, tek një pjesë individësh, qoftë edhe në shoqëritë moderne, gjeni kafshëror nuk ka për t’u zhdukur kurrë. Edvin Rama ka dëshmuar me fakte të shumta, si nga jeta private, ashtu dhe nga ajo publike, se bën pjesë në këtë kategori individësh, ndonëse përpiqet ta maskojë ligësinë e shpirtit me fjalë dhe veshje moderne. Nëse do të ishte gjallë Diogjeni i famshëm do të përsëriste për Ramën të njëjtën gjë që tha në kohën e vet për një pasanik mendjemadh dhe injorant, i cili vishej çdo ditë me rroba të reja e të kushtueshme: “Mëkat, që një mall i keq mbështillet kaq bukur…” Rama nuk u bë ziliqar kur hyri në politikë, por ai ishte i tillë qysh në jetën private. Nuk e dimë se si e ka manifestuar ai një ves të tillë gjatë viteve të shkollës, por më vonë gjithçka është bërë publike nëpërmjet medias, duke filluar që nga marrëdhëniet më shokët e skuadrës së basketbollit e deri tek ato me familjarët apo ish-bashkëshortet e tij të njëpasnjëshme. “Zilia është më e papajtueshme se sa urrejtja”, - thotë Loroshfuko, ndaj nuk duhet interpretuar si një ves i vogël. Tek individët delirantë e të çekuilibruar, zilia prodhon ligësi në çdo ditë, në çdo orë dhe në çdo minutë të jetës njerëzore. Në përgjithësi, veprimet e turpshme dhe aventuriere të Ramës në jetën private apo qoftë dhe atë publike janë nxituar nga zilia për të arritur atë që ai nuk e ka; natyrisht jo duke përparuar vetë por duke penguar të tjerët, që të mos ecin përpara në rrugën e suksesit. Herët apo vonë, këta individë shndërrohen në një rrezik të madh shoqëror kur përzgjidhen si udhëheqës politikë; pasi nga fatkeqësi e vetes kthehen në fatkeqësi e vendit, sikundër po ndodh me Edvin Ramën, qysh nga koha kur ai u zgjodh kryetar i PS-së. Siç dihet, Rama u bë kryetar i PS-së për t’u bërë i pari i vendit; pra kryeministër i Shqipërisë. Përfshirja fillimisht si ministër në kabinetin qeveritar “Nano” dhe zgjedhja më pas në krye të Bashkisë Tiranë kanë qenë ndoshta shkaqet kryesore, që ia kanë stimuluar atij lakminë për këtë post të lartë shtetëror, pas 2005-s, kur në krye të kabinetit qeveritar ka qenë prof. dr. Sali Berisha. Por sukseset qeverisëse të Berishës e kanë shndërruar Ramën në një ziliqar të kohëve barbare, pasi ia kanë prerë rrugën që ai ka përzgjedhur për të zënë një post të tillë. Kjo është arsyeja që Rama e ka orientuar gjithë opozitën drejt krijimit të problemeve për qeverisjen dhe jo drejt krijimit të aseteve politike për vete, duke përgjuar e ndjekur me vëmendje të veçantë çdo rast fatkeqësie natyrore apo politike qoftë, që i kanoset vendit tonë; natyrisht duke u shtirur fillimisht si njerëzor e bashkëpunëtor. “Dora” mbi krahët e Berishës ditën që ndodhi tragjedia e Gërdecit apo vlerësimi si të lira e të ndershme i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 në përfundim të tyre janë dy midis shumë fakteve të tjera që tregojnë hipokrizinë e Ramës për të fshehur atë që ndien dhe atë që pret të ndodh në të ardhmen. Kështu në rastin e Gërdecit, kreu i PS-së priste që Shqipëria të mos merrte në Bukuresht ftesën për anëtarësimin në NATO, kurse në rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit priste që ai të shpallej fitues i tyre, bazuar në milionat e hedhura për blerje votash dhe jo në programin elektoral apo në ndonjë tregues tjetër performues të opozitës. Po kur pa që Shqipëria e mori ftesën dhe zgjedhjet i humbi, filloi të villte vrer dhe të protestonte pandërprerë kundër qeverisë. Të njëjtën fytyrë shfaqi dhe qëndrim mbajti edhe me rastin e fatkeqësisë natyrore, që shkaktuan përmbytjen e shumë zonave në qarkun e Shkodrës. Kur pa që nuk pati viktima dhe pasojat e fatkeqësisë u tejkaluan më së miri nga qeveria “Berisha”, paralajmëroi fillimin e protestave gjatë javës në vazhdim. Bojkotimi për disa muaj rresht i Parlamentit dhe marrëdhëniet e kushtëzuara me të gjatë ditëve të fundit nga grupi i deputetëve socialistë, mosvotimi i Gjykatës Administrative dhe i mjaft ligjeve të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tij, refuzimi për të bashkëpunuar institucionalisht për një sërë reformash integruese, etj. tregojnë se Rama kërkon ta ndërtojë karrierën politike mbi bazën e vështirësive qeverisëse për kundërshtarin e vet politik. Duke e menduar këtë si shpresën e vetme që mund ta sjellë kreun e PS-së në pushtet, siç ndodhi me paraardhësit e tij në ‘97-n, ai e ka shndërruar opozitën në “njësit gueril”; që vetëm pengon, proteston, përgjon, ngre “barrikada” e godet qeverinë “atje ku s’e pret”. Por harron që në këtë mënyrë shton pakënaqësitë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, të cilët shohin tek Berisha dhe qeveria e tij shpresën e integrimit dhe zhvillimit evropian të vendit tonë. Ndaj shprehja e Berishës: “Me këtë kundërshtar unë rri në pushtet sa të dua vetë”, nuk është retorikë politike. Kjo e tërbon dhe e çekuilibron përfundimisht kreun e PS-së në zilinë e tij politiko-njerëzore, që siç thotë Volteri “…është helm për zemrën”. Zilia shtazarake është pabesi, urrejtje, cinizëm, aventurë, ligësi e tradhti bashkë. Ajo është lakmi e tepruar dhe e pakontrolluar, që nga ndjenja e keqe kalon tek veprimi i keq. Në disa raste zilia të shtyn drejt imitimit. Kohët e fundit Rama kreu një veprim të tillë, duke u martuar me Linda Bashën. E thanë vetë socialistët, që figura e kryeministrit në hije do të ishte e paplotë pa u martuar. Pra kjo tregon qe ai u martua për shkak të zilisë dhe jo për shkak të mirësisë. Siç dihet, Berisha shquhet jo vetëm si kryeministër i suksesshëm, por edhe si kryefamiljar shembullor. Familja e tij është një model i familjes shqiptare. Po për Ramën dhe politikanët e tjerë të opozitës ajo ka përbërë jo një model për t’u ndjekur, por një objektiv që duhet goditur, që duhet përbaltur. Këtë synonin sulmet e vazhdueshme dhe të paprincipta që u ndërmorën kundër familjes kryeministrore gjatë 4-5 viteve të fundit, qëkurse Rama u vendos në krye të PS-së. Çfarë nuk sajuan e çfarë nuk thanë, në mënyrë që jo vetëm ta diskreditonin, por edhe ta demoralizonin Kryeministrin Berisha në përmbushjen e programit të tij qeveritar. Dhe kur panë që dështuan, Ramën e martuan. Tashmë e mbuluam me “gjethe fiku” këtë mangësi, thanë. Ndaj u shumëfishuan përpjekjet në krahun tjetër, duke bërë “aleancë” me fatkeqësitë natyrore për t’ia vështirësuar qeverisjen Berishës. Sidoqoftë, edhe në këtë drejtim gjërat nuk u ecën ashtu siç i kanë parashikuar, ndaj nxijnë në fytyrë. “Zilia nuk njeh festë”, - thotë Bekon. Mbase këtë thënie ka pasur parasysh Rama që shpalli “zi” ditën e Festës Kombëtare të Pavarësisë në 28 nëntor. Me sa duket, tani pas 28 qershorit ai e ka marrë inat edhe datën 28 të nëntorit. Ndoshta për dhjetorin do të urrejë edhe të gjithë datat e tjera para dhe pas datës 28, që na shpien tek Festa e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2011. Ndodh kështu, sepse nëpër këto ditë, muaj e vite ecën Shqipëria evropiane e Sali Berishës, që po e bën Ramën të presë gjatë e plas nga zilia për pushtet. Rama nuk e ka të qartë që s’është pushteti, por puna ajo që të lumturon; madje puna në interes të të gjithë shoqërisë dhe jo në interes të “nëntëdhjetenëntëshave” të bashkisë. E pyetën njëherë filozofin grek, Diogjen: “Cila është rruga më e mirë që të shpie drejt lumturisë?” - “Të punosh për lumturinë e të tjerëve”, - u përgjigj ai.