E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, gjendje e rëndë e gazetave në Greqi

Mendoj se kriza ne shtypin grek reflekton ne radhe te pare krizen ne ekonomine dhe shoqerine greke, i thote DW-se gazetari dhe sindikalisti aktiv i fushes se shtypit, Moisis Licis

Kriza po godet rëndë edhe sektorin e medias së shkruar dhe elektronike në Greqi. Dy muajt e fundit janë mbyllur dy gazeta historike, rreth 250 punonjës janë hedhur në rrugë.

E kapluar nga kriza e thellë, media e shkruar dhe elektronike greke të kujton shprehjen e njohur “shëmbëlltyra jote jam shoqëri dhe të ngjaj”. “Mendoj se kriza në shtypin grek reflekton në radhë të parë krizën në ekonominë dhe shoqërinë greke”, - i thotë DW-së gazetari dhe sindikalisti aktiv i fushës së shtypit, Moisis Licis. E vërteta është se vendi prodhon më shumë informacion sesa mund të konsumojë, me një mori të panumërt gazetash, revistash, kanalesh televizive dhe radiosh që me malin e borxheve dhe personelit të tepërt një perëndi e di se si mund të mbijetojnë përballë cunamit të krizës.

“Të gjitha këto që sot i përjetojmë si teprime, si një tullumbace ekonomike, i kemi parë shumë më përpara nëpër media”, - thotë Licis dhe kujton habinë që i shprehu vite më parë një diplomat suedez, kur u informua se në Greqi dalin rreth 10 të përditshme të mëdha dhe i tha se “në Suedi, vend me lexueshmëri më të lartë, dalin vetëm 3”.

Problemi më i madh, në fakt, është traumatizimi i thellë i besueshmërisë së medieve, i cili filloi që në vitet ‘90, me hyrjen në fushën e informacionit të afaristëve të mëdhenj dhe allishverishit të madh politik dhe ekonomik që pasoi.

“Gjithë kjo patogjenezë nga njëra anë ka fundosur tirazhin e gazetave, me reduktim paralel të të ardhurave nga reklama dhe nga ana tjetër ka reduktuar ndjeshëm të ardhurat e kanaleve televizive programet e të cilave janë katandisur mbeturina”, - thekson Licis, duke i mëshuar veçanërisht pamundësisë së medias për t'i dhënë, sot me krizën, “lexuesit apo dëgjuesit një informacion objektiv, por edhe një qasje alternative të situatës së krijuar”.

Këmbanat e krizës nuk vonuan të binin. Në fillim të tetorit uli qepenat e përditshmja historike e sensit të djathtë “Apogevmatini” që hyri në status falimentimi duke hedhur në rrugë 100 punonjës, të cilët kanë që në korrik pa marrë rrogë dhe ndodhen nëpër gjyqe me pronarin për të fituar të drejtën e kompensimit për vitet e punës. Të premten e fundit të nëntorit pezulloi botimin e përditshmja historike e sensit të majtë “To Vima”, që del vetëm në formë elektronike, duke i bërë më të besueshme Kasandrat për perspektivën gjithnjë e më të zymtë me rreth 250 të liruar aktualisht nga puna dhe kontratat personale, në vend të asaj kolektive, në kanalin televiziv “Skai” me Tasos Anastasiadis. “To Vima” është një gazetë historike që objektivisht përmbushte premisat për një informim të besueshëm, por e mbyllën nën peshën e debitimeve dhe pa asnjë plan tjetër”, - i thotë DW-së gazetari sindikalist Tasos Anastasiadhis, i cili e kupton, siç thotë, domosdoshmërinë e ristrukturimit të medias, për shkak edhe të internetit, por jo edhe “arbitraritetin e pronarëve që krizën kërkojnë t’ua faturojnë vetëm punonjësve”. Parashikon edhe ai “dimër” të vështirë në qoftë se “botuesit dhe afaristët nuk ulen të negociojnë dhe të vendosin së bashku kushtet me punonjësit” që luftojnë për mbijetesën.

 “Është më se e qartë se gotën e hidhur do ta pimë deri në fund”, - thotë edhe gazetari i radios “Në të kuq”, Vangjelis Karageorgos, pasi “historia e ristrukturimeve ka treguar se gjithnjë bëhen në kurriz të punonjësve”. Kalvari i punonjësve të gazetës “Apogevmatini”, që ditën e hënë, 13 dhjetor, do të qarkullojnë si "free press" numrin e dytë të gazetës me titullin “Apogevmatini e Punonjësve”, është vetëm fillimi. Ai e konsideron të sigurt tërheqjen dhe zhvillim pozitiv akoma edhe pranimin e uljes së pagave me kusht që të garantohen vendet e punës. “Duhet të shënojmë dhe përgjegjësinë që ka vetë dega e gazetarisë”, - thotë Karageorgos si një nga ata që kërkojnë ndriçimin e pjesës së fajit të vetë gazetarëve dhe përmend si dy mëkate të fundit: “inaktivitetin sindikalist”, por edhe bashkërendimin jokritik me kursin qeveritar të kursimeve të rrepta “duke arritur të cilësojnë dembelë të gjithë nëpunësit shtetërorë”.

Kritikat për inaktivitet sindikalist në fakt marrin trajtën e një zemërimi të hapur. Kreu sindikalist i gazetarëve të Athinës, Panos Sobollos, u qëllua me shishe plastike uji dhe kafe në grevën e 30 nëntorit, ku grevistët dolën me kërkesën për sindikatë unike, të gazetarëve dhe teknikëve. “Kjo gjë po bëhet tani më se e nevojshme dhe mendoj se po krijohet një front i përbashkët”, - thotë për DW presidenti i Federatës Panhelenike të Unioneve të Gazetarëve, Stamatis Nikollopullos.

“Nuk do të pranojmë përmbysje të marrëdhënieve të punës, nuk do të pranojmë të kthehemi pas 20-30 vjet. Është çështje demokracie”, - thotë Nikollopullos dhe e cilëson këtë si “vijën e kuqe” për masën e madhe të gazetarëve që nuk kanë asnjë lidhje me disa “yje televizive të transformuar në pronarë frekuencash dhe botues”, por ruajnë deontologjinë dhe luftojnë për një gazetari gjithnjë e më të mirë. Greva e paralajmëruar dyditore e javës së ardhshme, më 17 dhe 18 dhjetor, që do të bëjë të pamundur, në qoftë se do të bëhet, daljen e gazetave të shtunën dhe të dielën, pritet si një test i madh i unitetit sindikalist, por edhe si dëshmi e qartë e përplasjeve dhe ndryshimeve “të dhunshme” që priten në mediat greke.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›