E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risitë e kandidimit lokal

Fushata për zgjedhjet vendore ka nisur zyrtarisht. E gjashta në 20 vjet këto zgjedhje sjellin njëherësh ngjashmëri
dhe dallime me të gjitha fushatat e mëparshme. Nëse lufta politike e palëve, skema e replikave e kundërreplikave, mungesa e programeve konkrete dalluese midis palëve, premtimet pa sens dhe masë, loja me listat apo elementët e tjerë administrativë të zgjedhjeve janë një déja vu e parë edhe në zgjedhjet e mëparshme, ekzistojnë edhe një sërë elementësh të rinj, që praktikohen për herë të parë. Tipari kryesor i këtyre zgjedhjeve është rikandidimi masiv i më shumë se gjysmës së kryetarëve të njësive vendore. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që në qytete si Shkodra apo Durrësi, Elbasani apo Korça si edhe në numër të madh të njësive të tjera vendore, të rikandidojnë me kuota të larta vetë drejtuesit vendorë. Ky zhvillim mund të shihet në disa aspekte.
Rikandidimi në shumicën e rasteve nuk është parë si akt formal. Secili prej kryetarëve që rikandidon llogaritet të ketë kuota të larta dhe shanse për fitore, gjë që bën dallim thelbësor me zgjedhjet e mëparshme. Në politikë rikandidimi është produkt suksesi, gjë që na bën të besojmë se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një elitë të re dhe të suksesshme të administratorëve politikë e civilë të qyteteve dhe të komunave. Nëse kjo do të ishte tërësisht e vërtetë qeverisja lokale në bashki e komuna do të ishte krenaria e qeverisjes në vend. Për të dëshmuar nëse ata kanë qenë të suksesshëm ose jo do të duhej të kishte një bilanc të verifikueshëm pune, gjë që nuk ka ndodhur në shumicën e rasteve. Bilanci ka qenë më shumë imagjinar, partiak dhe politik. Supozohet se një kryetar bashkie në qytete të mëdha mund të ketë sukses nëse ndryshon pamjen e qytetit, rrit investimet publike e private, krijon infrastrukturë të re apo imazh të ri për qytetin. Por kjo logjikë vlen vetëm për qytetet e mëdha, jo për ato të periferisë dhe aq më tepër për komunat, ku investimet dhe bilanci i punës bazohen në kritere të tjera. Për më tepër, sistemi ynë i qeverisjes bazohet ende në dominim të strukturës së centralizuar të pushtetit (arsimi, shëndetësia, infrastruktura ndër-urbane, ujësjellësi, etj janë monopole të qeverisjes qendrore), ndaj nuk ka një kufi të qartë midis meritës lokale dhe meritës qendrore në bilancin e njësive vendore. Madje vetë ato ankohen vazhdimisht për mungesë fondesh dhe kompetencash, vetë ato ia faturojnë qeverisjes qendrore të gjitha problemet e pazgjidhura lokale dhe vetë qeverisja qendrore. Ky kontrast i thellë midis paqartësisë në bilancin e punës, kompetencave dhe arritjeve reale, e bën të veçantë rikandidimin masiv të kryetarëve të djathtë e të majtë, si dhe të diskutueshme kriteret e përzgjedhjes së tyre.
Risi tjetër duket fakti se për herë të parë kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor e cilësor të konceptit mbi administratorët lokalë. Shumica e figurave që rikandidojnë, sidomos në qytetet e mëdha, nuk përfaqësojnë më militantin e deleguar partiak të mësuar të zbatojë pa rezervë urdhrat e selisë së partisë. Shumica kanë fituar njëfarë pavarësie, nuk kanë poste drejtuese partiake, nuk shquhen për militantizëm të verbër dhe për këtë shkak janë imponuar në rikandidim. Disa prej tyre kërcënuan palën e vet politike se nëse nuk rikandidonin, atëherë do të dilnin të pavarur, duke imponuar zgjedhjen. Në kushtet kur partitë nuk janë shumë demokratike nga brenda, ky mund të konsiderohet një lajm i mirë. Përjashtim bëjnë vetëm disa bashki qendrore, ku palët kandiduan politikanë të nivelit të lartë, ministra apo deputetë, përfshirë kryetarin e njërës prej partive kryesore politike. Një zgjedhës e ka të vështirë të kuptojë përse një lider politik apo një ministër deputet heqin dorë nga mandati tyre të politikës qendrore për të konkurruar në politikë lokale. Tradicionalisht në çdo vend demokratik ndodh e kundërta. Por secili e kupton se palët nuk mendojnë lokalisht, ata kanë axhenda e synime politike qendrore, ndaj kandidimi i tyre është pjesë themelore e strategjisë së tyre politike.
Rritja e “pushtetit” personal të drejtuesve vendorë mund të jetë produktiv, por nëse ky pushtet përdoret për dominimin e jetës politike dhe administrative të qyteteve, për axhenda personale dhe interesa më të vogla sesa interesi publik, atëherë mund të jetë zhvillim shqetësues. Sepse krijon miniparcela pushteti nominal, jashtë kontrollit qytetar dhe politik. Shenjë negative janë p.sh, kandidimet masive të figurave të biznesit në komuna apo njësi të largëta vendore, ku mund të krijohen lehtësisht konflikte interesi apo edhe pushtete gati të trashëgueshme familjare. Në ndihmë të këtij varianti negative janë edhe 10-12 kandidimet e dy partive kryesore brenda të të njëjtit fis familjar, duke pranuar e ligjëruar kështu pushtetin e madh të fisit mbi pushtetin e fjalës, projektit, platformës, programit dhe qytetarëve të tjerë të zonës.
Një risi tjetër e dukshme e këtyre zgjedhjeve janë kalimet ekstreme të kandidatëve nga e majta në të djathtë ose anasjelltas. Për herë të parë kemi kryetarë lokalë të PD ose PS që kandidojnë për partinë rivale, drejtues komunash që ndryshojnë parti duke kaluar me palën tjetër rivale, si dhe lista këshilltarësh me individë të cilët kanë qenë këshilltarë të palës tjetër. Kjo tregon se partitë kanë probleme identiteti politik, dallimet e tyre në tregun zgjedhor janë gati të padukshme dhe se ato vuajnë nga mungesa e dukshme e demokracisë së brendshme. Ilustrues tipik është fakti se asnjë kandidat i asnjë pale nuk është produkt i konkurrencës me votim brenda partisë, por i imponimit personal, njohjeve personale apo raporteve midis partnerëve të koalicionit. Duke mos qenë produkt konkurrimi të brendshëm ata rrezikojnë të përballen me skepticizëm apo protestë të heshtur (mospjesëmarrje aktive në fushatë apo votë abstenuese) nga vetë kritikët brenda partisë së tyre dhe më tej, nga spektri politik që zyrtarisht përfaqësojnë. Formula ligjore e pengimit të kandidatëve të tretë (të pavarur ose të partive të vogla) i bën ata ofertë të vetme politike në zgjedhje, një lajm i mirë për ata personalisht, por një lajm i keq për institucionin e konkurrencës demokratike.
Problemi tjetër ende i pazgjidhur mbetet roli i këshillave bashkiakë e të komunës, oferta e listave të vetë partive. Ende asnjë parti apo kandidat nuk e ka përdorur listën e kandidatëve për këshilltarë si element elektoral. Kjo sepse listat nuk reflektojnë nevojat e kandidatëve nominalë për kryetar, ato janë më shumë lista partiake që mbyllin pakënaqësitë e militantëve dhe shërbejnë edhe si shpërblime personale. Të para në këtë mënyrë, zgjedhjet e majit nuk do të zgjidhin konfliktin midis drejtuesve të njësive vendore dhe këshillave politikë, përkundrazi. Vullneti dhe axhenda personale (kryetari) me atë politik partiak (këshilli) do të vijojnë të jenë në diskordancë, me pasojë direkte për qytetarët dhe problemet e shumta të tyre. Nga ana tjetër, detyrimi për kuota gjinore i ka detyruar partitë (e vogla) që të mbushin listat me emra fiktiv grash e vajzash, kryesisht familjarë të kandidatëve apo drejtuesve të degëve lokale. Kjo e bën joproduktive dhe gati qesharake çështjen e kuotave dhe zotimeve të palëve për respektimin domethënës të tyre.
Së fundi, zgjedhjet lokale ofrojnë gati të njëjtët emra, të njëjtat modele, para të njëjtëve zgjedhës dhe me të njëjtën fushatë elektorale. Kështu që të vetmit që mund të bëjnë diferencën nuk janë aktorët politikë, por sjellja e tyre politike, pra grupet këshillimore elektorale. Vetëm strategji të qarta fushate që synojnë të tërheqin pas vetes votuesit e rinj dhe votuesit e pavendosur do të mund të përcaktojnë fituesin nominal të zgjedhjeve. Nëse kjo nuk ndodh, nëse pjesa e pavendosur tregohet skeptike dhe për pasojë votojnë vetëm militantët, këto zgjedhje mund ta humbin shansin për të ofruar një zgjidhje të problemeve dhe nevojave të mirëqeverisjes.

* Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamje të institucionit ku ai punon.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›