E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Kutitë hapen vetëm nëse do digjen

Kreu i KQZ sqaron bazën ligjore për eliminimin e fletëve të votimit

Në kulmin e debatit mes dy partive kryesore në vend për kutitë dhe fletët e votimit të 28 qershorit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se nëse kutitë hapen, kjo do të ndodhë vetëm sepse ato do të digjen. Nga pikëpamja ligjore, KQZ argumenton se ato duhet të ishin djegur tashmë, por meqë ka një ngërç politik, ky institucion nuk po vepron sikundër do të vepronte në çdo situatë tjetër.
“Fletët e votimit nuk janë një dokument zyrtar që mbahet nga institucioni ynë me bazën e këtyre rregullave, ato nuk i nënshtrohen protokollimit. Fletët e votimit në këtë moment që flasim duhet të ishin hi. Do të ishin të asgjësuara. është i vetmi veprim në bazë të ligjit që ne mund të bëjmë sot. Pra nëse ne i hapim kutitë duhet të djegim fletët e votimit, pasi kështu thotë ligji”, tha Ristani, ndërsa shpjegoi se i vetmi trajtim që mund t’u bëhet këtyre materialeve është të hapen e të digjen, sepse kështu kanë rënë dakord palët kur kanë bërë ligjin. Ndaj në letrën time për G99 kam përdorur një term "këto fletëvotimi nuk ekzistojnë më juridikisht, pasi për ligjin duhet të ishin të djegura. Juridikisht nuk ekzistojnë më””. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëri me dije se në çdo moment që mund të mbledhë anëtarët në një mbledhje mund të marrë një vendim për djegien e fletëve të votimit. “Do të ishim konform ligjit për këtë veprim”, tha ai. Megjithatë, në këndvështrimin e kreut të KQZ-së nëse nuk do të ekzistonin fletët e votimit, politika do të gjente një tjetër çështje ku të kapej.
“Unë besoj që politika e ka varur këtu xhaketën po mund ta varte kudo tjetër. Unë besoj që duhen bindur politikanët se destinacioni ligjor i këtyre fletëve të votimit është vetëm të digjen. Sapo të gjejmë mirëkuptim për veprimtarinë tonë do veprojmë”, deklaroi Ristani.

Ndërkohë, ai sqaroi edhe pozicionin e qëndrimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me kërkesën e G99 për t’i vënë në dispozicionin fletët e votimit ashtu siç ndodhi në Florida në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Në bazë të ligjit e drejta e informimit ekziston për dokumentet zyrtare. Jo për çdolloj dokumenti. Por në bazë të ligjit bëhet fjalë për ato dokumente që institucioni i mban sipas rregullave ligjorë. I vetmi ligj që trajton mënyrën sesi mbahen dokumentet zyrtare është ligji për arkivat. Ky ligj thotë që fondi arkivor i institucionit mbahet në arkivin e institucionit, ku dokumentet protokollohen me një numër të veçantë. Kjo bazë dokumentare përbën dokumentacionin zyrtar që mbahet në bazë të ligjit nga institucioni”, nënvizoi Ristani.

Pak ditë më parë, KQZ i ktheu përgjigje kërkesës së G99 duke bërë me dije se nuk mund t’i vinte në dispozicion fletët dhe materialet e votimit, kjo sepse duke qenë se ka kaluar shumë kohë nga zgjedhjet ato tani do të ishin djegur. Kërkesa e G99 u bë në fund të muajit janar duke marrë shkas nga i njëjti precedent në Florida. Ndërkohë që edhe më parë ka pasur një përplasje mes Partisë Socialiste dhe Komisionit Qendror pikërisht për këtë çështje. Që në muajin tetor KQZ ka bërë me dije se në bazë të ligjit mund të djegë fletët e votimit meqë procesi i zgjedhjeve konsiderohet i mbyllur, por reagoi menjëherë PS duke kujtuar kërkesën e saj për kutitë e dyshuara.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›