Wollfarth: Vendimi për Tiranën, i drejtë
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth komentoi dje nga qyteti i Korçës vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. I pyetur nga mediat, ai tha “Kolegji Zgjedhor vendosi që të rishqyrtohen kutitë e votimit. Përshtypja ime e parë pas këtij vendimi është se nevojitet një trajtim i njëtrajtshëm i të gjitha votave të hedhura dhe ky më duket një lajm i mirë dhe i drejtë”. Në vlerësimin e ambasadorit bëhet fjalë për shqyrtimin e kujdesshëm dhe të barabartë të votave të hedhura, me synimin për të parë se çfarë dëshire shprehën saktësisht votuesit ditën e zgjedhjeve, pra më 8 Maj. Më tutje, Ëollfarth komentoi edhe çështjen e mos miratimit ende të ligjit për Gjykatën Administrative në Kuvend. “Është shumë e rëndësishme që të ekzistojë Gjykata Administrative. Çdo shtet modern ka nevojë për të. Në mënyrë që të ekzistojë Gjykata Administrative duhet të kemi një parlament plotësisht funksional, si në komisione, ashtu edhe në seancat plenare, sepse, për nga mënyra se si është ndërtuar sistemi në Shqipëri, duhet një shumicë e cilësuar për të miratuar ligjin për Gjykatën Administrative”, u shpreh Ëollfarth. Duke ju referuar opozitës, Ëollfarth tha se i nxit ata të kthehen në parlament dhe t’i përkushtohen plotësisht punës, sepse kjo gjë është një nivel shumë i rëndësishëm shërbimi ndaj qytetarëve dhe miratimi i ligjeve është një pjesë e rëndësishme dhe fillestare e këtij shërbimi. Në vlerësimin e ambasadorit, një ligj administrativ funksional dhe i plotë dhe një sistem gjyqësor administrativ janë shumë të rëndësishëm për investitorët e huaj, por dhe për ata vendas. “Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit të sigurisë, kur dikush dëshiron të bëjë biznes, pasi është gjithashtu një shërbim për qytetarët dhe shoqërinë, duke qenë se fillimisht ka të bëjë me vendet e punës”, tha Ëollfarth. Këto qëndrime, kreu i prezencës së OSBE-së i dha gjatë vizitës në Gjykatën e qytetit të Korçës.