E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Vendimet e KQZ u vlerësuan nga ODIHR

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Kreu i KQZ-së dorëzon në Kuvend raportin vjetor të institucionit që drejton.

Votat në kutinë e gabuar të parashikohen në Kodin Zgjedhor

Fati i fletëve të hedhura në kutinë e gabuar duhet të rregullohet në Kodin Zgjedhor. Ky rekomandim është dhënë në raportin përfundimtar të KQZ-së për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, pritet të dorëzojë në Parlament raportin për vitin 2011, dhe një pjesë të konsiderueshme të këtij drafti e zë çështja e fletëve të hedhura gabim e të numëruara nga KQZ në garën e kryeqytetit. Rekomandimi i bërë nga OSBE/ODIHR është se numërimi, vlerësimi dhe trajtimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor. Duke adresuar nevojën e parashikimit dhe rregullimit në ligj të këtij problemi të evidentuar edhe në proceset zgjedhore pararendëse, por jo të fokusuar e shtruar për zgjidhje, thekson Ristani në raport. Kryetari i KQZ-së deklaron me tej se zgjedhjet e vitit të shkuar, përveç polemikave dhe politizimit, u vlerësuan nga OSBE/ODIHR. Në raport, zgjedhjet e 8 majit 2011 vlerësohen nga arbitri ndërkombëtar si kompetitive dhe transparente. Kompetitiviteti dhe transparenca e vlerësuar, si shtylla kryesore të ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve, janë vlerësime të çmuara për arritjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri, thuhet në raportin e KQZ-së.
Një pikë e debatuar në zgjedhjet e 8 majit ka qenë dhe mospërputhja e numrit të votuesve dhe fletëve, që u cilësuan si të vlefshme. Gjatë këtij vlerësimi, meqenëse votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin vlerësuar si të pavlefshme nga grupet e numërimit, KQZ pakësoi numrin e votave të pavlefshme në kutinë ku ato u gjetën dhe rriti numrin e votave të vlefshme, për aq sa u vlerësuan të tilla, në kutinë së cilës i përkisnin. Në këtë kuptim, ndryshoi balanca që ishte më parë midis fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe shumës së votave të vlefshme me ato të pavlefshme në kutinë e llojit përkatës dhe rrjedhimisht, në tabelën përmbledhëse të atij pushteti, sqarohet në raportin e KQZ-së. Në raportin përfundimtar thuhet se ankimimi i zgjedhjeve të Tiranës në Kolegjin Zgjedhor në të gjitha rastet i dha të drejtë KQZ-së në vendimet e saj.

33 ankesa në Kolegj
Përfundimi i zgjedhjeve të 8 majit është shoqëruar me 33 kallëzime në Kolegjin Zgjedhor. Sipas raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 24 raste KQZ-së i është dhënë e drejtë nga Kolegji Zgjedhor, ndërsa në 9 raste është kërkuar ndryshimi i vendimit në favor të palës paditëse. Në fazën para datës së zgjedhjeve, në KQZ u paraqitën nga subjektet zgjedhore gjithsej 58 kërkesa ankimore për mosregjistrimin në kohë si kandidat, thuhet në raportin e KQZ-së.

Raporti i KQZ për 8 majin
Nga verifikimi që KQZ bëri kryesisht në listat shumemërore të partive politike të depozituara në KZAZ, rezultoi se nga 54 parti, 53 prej tyre nuk respektuan kriterin e gjinisë në një numër të konsiderueshëm zonash zgjedhore
Në mbështetje të nenit 24 të Kodit Zgjedhor, KQZ duhet të nxjerrë aktet me karakter normativ jo me vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve. Mungesa e disa anëtarëve të KQZ-së solli vështirësi për hartimin e udhëzimeve të reja të nevojshme apo ndryshimin e atyre ekzistuese për të rregulluar marrëdhëniet specifike në lidhje me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore
ZHVILLIMI I DITËS SË ZGJEDHJEVE
Ditën e zgjedhjeve KQZ konstatoi se përgjithësisht anëtarët e KQV-ve kanë demonstruar profesionalizëm në ushtrimin e detyrës
Vetëm në 1 rast, në QV nr. 1992, të ZAZ 54 (Njësia Bashkiake nr. 10 në Tiranë), komisioni i qendrës së votimit tentoi forcërisht që të mbyllë procesin e votimit para orës 19:00, edhe pse jashtë qendrës së votimit kishte mbi 100 votues që prisnin në radhë.
Shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje ditën e votimit, të krahasuara me shifrat zyrtare, në rang vendi janë pothuajse njësoj, përkatësisht 50.91 me 50.96 %, në rang qarku lëvizin me 3-4%.
PROCESI I NUMËRIMIT TË VOTAVE
KQZ, kryesisht në cilësinë e KZAZ-së së njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, në një fazë të rëndësishme të procesit zgjedhor, siç është faza e numërimit të votave, vendosi të kryejë vetë hapjen e 117 kutive të votimit të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë (gjithsej 108 qendra votimi), duke numëruar dhe vlerësuar fletët e votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara të hedhura në kutitë e gabuara.
Ky investim i KQZ-së ishte jo vetëm në përmbushje të detyrimit ligjor të zgjidhjes së paqartësive të shfaqura në organet e varësisë gjatë administrimit të procesit zgjedhor, por gjithashtu në respektim të garancisë kushtetuese: barazisë së votës.
KOLEGJI ZGJEDHOR
Vendimi i KQZ-së në lidhje me numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara të hedhura  aksidentalisht në kutitë e gabuara, u ankimua në Kolegjin Zgjedhor, i cili e vlerësoi si vendim në përputhje me ligjin dhe e la në fuqi.
Rekomandimi i OSBE/ODIHR-it se numërimi, vlerësimi dhe trajtimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor, dëshmon qartësisht për drejtësinë e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së KQZ, edhe në këtë pjesë aq të debatuar të procesit zgjedhor, duke adresuar nevojën e parashikimit dhe rregullimit në ligj të këtij problemi të evidentuar edhe në proceset zgjedhore pararendëse, por jo të fokusuar e shtruar për zgjidhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›