Simpatizantët e PS, protestë te KQZ me sytë nga Kolegji
Tiranë Tensionet kanë rënë në ditën e gjashtë të protestës para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Simpatizantët e PS-së kanë hequr dorë prej përplasjeve me kordonin e policisë, duke i kushtuar gjithë vëmendjen podiumit. Në të vërtetë, protesta e djeshme i ngjante një audicioni për këdo që donte të thoshte diçka kundër qeverisë, KQZ-së apo kandidatit rival. Ndaj edhe e gjithë skenografia e protestës sillej e tëra rreth podiumit. Kur nga radhët e protestuesve nuk gjendeshin vullnetarë, ishin deputetët dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste ata që ngjiteshin në tribunë, për të mbajtur “gjallë” protestën dhe njerëzit e mbledhur, për të gjashtën ditë përpara KQZ-së. Mes protestuesve, pakush e di kur mbaron kjo histori e grumbullimeve përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Ne do jemi këtu, sa herë të ketë nevojë. Mund të mbarojë dhe sonte numërimi i KQZ-së dhe të shpallin fituesin. Ne kemi shpresë dhe te Kolegji Zgjedhor, se mund ta gjejmë të drejtën. Nëse dhe aty s’do na e japin të drejtën, do presim liderët tanë se çfarë duhet të bëjmë”, - i tha “MAPO”-s një militant i PS-së. Nga ana tjetër, deputetët socialistë, të pranishëm në këtë protestë, konfirmuan vazhdimin e saj edhe gjatë ditës së sotme, edhe pse duket se nuk ka ende një plan të qartë për të ashtuquajturën rezistencë popullore ndaj vjedhjes së votës. “Ne do të jemi këtu, para KQZ-së edhe nesër (sot) e në vijim, kjo është e sigurt. Gjithçka është në varësi të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Nëse ata japin një vendim të drejtë, ne sigurisht nuk kemi arsye të vazhdojmë më. Nëse ata do t’i bëjnë fresk këtij veprimi të pashembullt të KQZ-së, atëherë ne do i dalim për zot të drejtës tonë”, - thotë deputeti Ditmir Bushati. Mes radhëve të socialistëve, dje gjithnjë e më shumë bisedohej për Kolegjin. Syresh flasin për një fitore të sigurt në Kolegjin Zgjedhor, por ka edhe mjaft pasiguri. “Na kanë thënë se ndërkombëtarët i kanë sugjeruar Ramës që të ruajë qetësinë dhe stabilitetin dhe në këmbim, ata nga ana e tyre do ushtrojnë gjithë presionin e tyre mbi Kolegjin Zgjedhor, për të dhënë një vendim të drejtë. Kështu na kanë thënë dhe kemi shpresë nga kjo ndërhyrje”, - shpreheshin mes tyre simpatizantët socialistë. Është ndoshta ky besim, që prej dy ditësh ka qetësuar turmën e ka shmangur përplasjet me punonjësit e shumtë të policisë, të rreshtuar përballë tyre. Nga ana tjetër, edhe shiu ndikon në ftohjen e gjakrave para KQZ-së, së cilit i ruhen njësoj si policët, ashtu edhe protestuesit e Partisë Socialiste. Fjalimeve fakultative në tribunën para KQZ-së, mbrëmjen e djeshme ua solli fundin shiu që rinisi, ndërsa me shpejtësi Elisa Spiropali njoftoi mbylljen e protestës. Të gjithë vrapuan t’i shpëtonin shiut, ndërsa policët e mbetur aty, në vend të çadrave përdornin skafandrat.