E Diel, 1 Nëntor 2026

Rita Ora qan para 20 mijë të rinjve: S’e besoj, jam në Kosovë

PRISHTINE - Jam në Kosovë! Është e pabesueshme!”, shkruan këngëtarja Rita Ora në profilin e saj në “Twitter”, duke shtuar se sheshxhirimi i kësaj videoje, ishte më i miri ku kishte qenë ndonjëherë. Ajo shkel në aeroportin e Prishtinës, entuziaste dhe e qeshur. 22 vite më parë ajo erdhi në jetë pikërisht në këtë qytet. Rita Sahatçiu lindi në Prishtinë dhe po në të njëjtin vit, familja e saj, e përbërë nga dy prindërit, motra dhe vëllai, u vendos në Britaninë e Madhe. Kjo lëvizje e tyre u bë për t’u shpëtuar sulmeve serbe, të cilat sapo kishin filluar. Rita frekuentoi shkollat e Londrës. Që e vogël këndonte dhe aktronte bukur. Pas disa daljesh jo shumë të bujshme, si ajo në “Eurovision Song Contest”, talenti i Ritës dhe emri i saj u bënë të njohur në vitin 2009, pas nënshkrimit të kontratës me shtëpinë diskografike “Roc Nation”. Reperi me famë botërore, njëherësh edhe producent i suksesshëm, e mori atë nën menaxhim. Ai e angazhoi fillimisht këngëtaren me dalje në videot e tij. Viti 2011 shënon kulmin e suksesit. Kënga “Hot right now” arrin majat e klasifikimeve britanike, ndërsa videoja e këngës ka mbi 32 milionë klikime.

Suksesi i këngëtares me origjinë shqiptare, pushtoi edhe mediat vendase. Shqiptarët u bënë adhurues të muzikës së saj. Ajo është pothuajse çdo javë në faqet e shtypit rozë. Të gjitha daljet, veshjet e lëvizjet e Ritës përcillen në Shqipëri. Po ashtu edhe thashethemet mbi lidhjen e saj të dashurisë me Rob Kardashian.

Vizita në Kosovë
Ka folur gjithmonë me krenari për origjinën e saj. Në emisione të ndryshme ka shpjeguar prejardhjen e familjes, duke premtuar shpesh rikthimin në vendlindje. “E lashë Kosovën në moshën njëvjeçare. Ne ishim me fat që u larguam shumë shpejt. Kur erdhëm në Londër babai im nisi të punonte në një restorant. Mamaja ishte mjeke në Kosovë, por nuk e fliste anglishten. Ajo u desh të mësonte gjithçka sërish nga e para, të mësonte anglisht dhe të më rriste mua, vëllain tim dhe motrën. Vërtet e admiroj për çka ka bërë. Tani ajo është psikiatre dhe ka vendin e saj në Londër. Unë mundem ta flas shumë qartë gjuhën shqipe, pasi kështu flasim në shtëpinë tonë. Jam kthyer shpesh në Kosovë. Nëse dikush kërkon të bëjë diçka jashtë vendit të vet, është paksa e vështirë, sepse nuk ka shumë mundësi. Do të doja të përktheja edhe muzikën kosovare në albumet e mia. E kam provuar dhe ende s’më ka funksionuar, por do ta bëj”, - ka thënë ajo gjatë një interviste. Këtë të shtunë, Rita erdhi në Kosovë për të realizuar xhirimet e videoklipit për këngën “Shine Ya Light”, pjesë e albumit të saj të fundit “Ora”. Zbritja në aeroportin e Prishtinës ishte një event i vërtetë mediatik. Gazetarë dhe fansa të shumtë ishin mbledhur për ta pritur. Xhirimet për klipin janë zhvilluar në zonat e quajtura ‘Veternik’ dhe ‘Kurriz’ të Dardanit. Më pas, në orët e vona të natës, bashkë me stafin ajo është spostuar në qendër të Prishtinës. Aty ishin mbledhur për ta parë mbi 20 mijë të rinj. Këngëtarja, jashtë programit është ngjitur mbi obeliskun “New Born” dhe ka kënduar e mallëngjyer, duke mos arritur të përmbajë lotët. Burime pranë këngëtares bëjnë të ditur, se ajo do të japë një koncert në stadiumin e Prishtinës, i cili pritet të jetë madhështor. Koncerti do të zhvillohet në nder të fundit të “Pavarësisë së mbikëqyrur” për Kosovën. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›