E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku nga një iluzion i humbur

Eshtë thënë dhe provuar në plot vende dhe raste se, kur një popull ndjen rrezikun e humbjes së një iluzioni që është mbrujtur prej aspiratës për një jetë më të mirë, të dy sytë dhe gishti tregues drejtohen kërcënueshëm te qeverisësit e tij. Mirëpo, këtu në Shqipëri pushtetarët ende nuk po përfillin realisht sa duhet as rrezikun e vonimit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, as kërcënimin që mund të përbëjë humbja e durimit të shqiptarëve nga zvarritjet në kurriz të tyre. Zvarritje, që politikanët pushtetmbajtës aktual, duke dashur të mbijetojnë pafundësisht me bëma antidemokratike dhe antipopullore, deri edhe te përsëritja e grabitjes së votave të elektoratit të gjerë, gjithçka të tillë kërkojnë ta justifikojnë me kurthe absurde dhe retorika arrogante. Kurthe absurde dhe retorika arrogante për të fajësuar opozitën, së cilës i kanë lënë në dorë përgjithësisht vetëm disa kartona jeshil që nuk prodhojnë asnjë vendimmarrje të rëndësishme e programatike.
Kështu po ndodh edhe këto ditë, në prag të hartimit dhe publikimit të Progres - Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Me një bilanc të mangët të përmbushjes së Rekomandimeve (deri tani, vetëm të një të katërtës së tyre) të dhëna vitin e kaluar nga organet supranacionale në Bruksel, mazhoranca jonë qeverisëse dhe veçanërisht kreu i saj, i cili me aplikimin prej disa vitesh të metodave regresiste të drejtimit po e shpie pandërprerë këtë vend drejt pragut të greminës, pasi përfitoi zgjedhjen e Presidentit të Republikës për një ushtar besnik të vetin, menjëherë zgjodhi një tjetër marifet. Një marifet të radhës, në vazhdë të sabotimit të marrjes nga Shqipëria të statusit të Shtetit kandidat për në BE dhe, në kërkim të përgjegjësive ndaj këtij akti të ripërsëritur, lënien si zakonisht opozitës kopilin në prehër. Pra, votimin në Kuvend të një "reforme" të cunguar, si ajo e kufizimit të imuniteteve. Të një "reforme", që s'mund të emërtohej e tillë, por që sidoqoftë kishte marrë më parë dakordësinë dhe përpunimin konstitucional të opozitës, e cila e koncepton miratimin e kësaj nisme në mënyrë të arsyeshme dhe integrale me ndryshime të tjera kushtetuese, për t'u hedhur bazat në sigurimin e pavarësisë funksionale të institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Por duket që kësaj radhe ata nuk e kanë të lehtë, në mos të pamundur, ashtu sikurse është theksuar edhe në disa artikuj të botuar muajin e kaluar në "Gazeta Shqiptare". Sepse, pavarësisht përpjekjeve anemike të Kryeministrit Berisha dhe papagajve të tij, për të fetishizuar enkas nismën e kufizimit të imuniteteve si gjoja një prioritet kyç të dymbëdhjetë objektivave të vëna prej Brukselit, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Shtefan Fyle e bëri edhe një herë të qartë dhe prerazi javën e shkuar në takimin me ministrin tonë të Punëve të Jashtme, se për marrjen e statusit të shumëpritur nga shqiptarët nevojitet përmbushja e të gjitha Rekomandimeve të shprehura në Marrëveshjen bilaterale të nëntorit të vitit të kaluar. Dhe, në këtë kuadër, ai nuk zuri në gojë çështjen e imuniteteve, por në veçanti përmendi si prioritete Reformën Parlamentare, që deri tani i është ekspozuar në Kuvendin e Shqipërisë pluhurit të harresës, si edhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, që në kushtet tona lidhet ngushtë me realizimin e një pakete kushtetuese për funksionimin e pavarësisë së organeve të sistemit gjyqësor. Me sa u duk, ky qëndrim zyrtar i Brukselit e detyroi ministrin shqiptar që me të zbritur në Tiranë të deklaronte, se kufizimi apo jo i imuniteteve nuk përbën pengesë për marrjen e statusit të Shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Megjithatë, ashtu siç edhe pritej nga përvoja e deritashme, realisht nuk u ndjenë reflektimet e nevojshme nga eksponentët e shumicës kuvendore, por vetëm që në prag të nisjes së sesionit parlamentar të vjeshtës u deklarua që të hiqej dorë, përkohësisht, nga zhvillimi i një referendumi antikushtetues për imunitetet, dhe të vihej në axhendën e punimeve të tri javëve të para shqyrtimi i paketës kushtetuese të propozuar prej opozitës afro dy muaj më parë. Ndërkohë, nga radhët e mazhorancës qeverisëse dëgjohej i njëjti avaz shurdhues, që nuk lëshon asnjë refren për jetësimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që përgjithësisht nënkupton se organet e çdo sistemi kryesor të qeverisjes duhet të kenë fuqinë dhe pavarësinë e duhur për të ushtruar funksionet e veta, çka bën që të cilësohen "pushtete"; se i njëjti organ (aq më pak i njëjti person) nuk mund të grumbullojë të gjitha pushtetet, sepse kjo do ta shndërronte atë në një qendër despotike. Duke e vështruar këtë parim themelor të demokracisë liberale nën një optikë të gërvishtur ashpër, e kuptueshme është që mazhorancës parlamentare aktuale nuk i hapet fyti aq sa të lëshojë edhe ndonjë tingull për paprekshmërinë e pavarësisë së gjykatave, një tipar ky që theksohet vazhdimisht edhe në Francë, Kushtetuta e së cilës përdor (ndryshe nga ato të vendeve të tjera europiane) termin "autoritet gjyqësor" në vend të termit të gjithëpranuar "pushtet gjyqësor".
Kështu pra, në seancën e hapjes së këtij sesioni, kryetari i grupit parlamentar të partisë kryesore të koalicionit qeveritar e cilësoi "një paçavure" nismën e opozitës për ndryshimet e nevojshme të dispozitave kushtetuese që u kushtohen organeve të drejtësisë. E cilësoi si të tillë, pa vënë aspak në diskutim të arsyetimeve logjike, se sa e dobishme do të ishte që rendi kushtetues t'i largohej non sensit, apo paradoksit të shprehur deri tani në Ligjin tonë Themelor, sipas të cilit, kur është fjala, për shembull, për emërimin nga Presidenti i Republikës të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, pëlqimi nga Kuvendi jepet me shumicë të thjeshtë. Ndërkohë që është mjaft e dobishme që ky pëlqim të jepet me shumicë të cilësuar prej tri të pestat e votave të të gjithë deputetëve, kur dihet që për anëtarët e gjykatave kushtetuese të Gjermanisë dhe Spanjës, kushtetutat e tyre parashikojnë një shumicë edhe më të madhe, prej dy të tretash. Pikërisht, paragjykimi i mësipërm që iu bë nismës së opozitës do të sillte pas tri ditësh, pa dyshim, një dështim të shqyrtimit të kësaj nisme në Këshillin e Legjislacionit të Kuvendit, ku përfaqësuesit e shumicës e shtynë diskutimin dy javë më vonë, deri atëherë kur hartimi i Progres - Raportit të Brukselit mund të kishte përfunduar, për t'u publikuar më 12 tetorin e ardhshëm.
Sidoqoftë, një vizitë këto ditë e Zëvendësndihmësit të Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker mund të ndikojë në një ndryshim të kursit të mazhorancës. Aq më tepër, kur lideri i saj, Sali Berisha u shpreh në konferencën e shtypit me zyrtarin e lartë nga përtej Atlantikut, veç të tjerash, se "do të bëjmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat për në BE". Një zotim ky që i përgjigjej theksimit të Philip Reeker (Filip Riker), se javët e ardhshme për Shqipërinë do të jenë kritike. Një zotim ky që do të dëshirohej të mos u ngjante atyre, që ky Kryeministër i lëshon zakonisht me hipokrizinë më të madhe, duke u nxjerrë edhe gjuhën pas krahëve atyre që u përulet sa me servilizëm të pështirë, aq edhe me frikë konvultive, deri sa t'i kalojë momentet e vështira. Në këtë prizëm, pritet që ngjarjet të krijojnë një tablo tjetër, ku mazhoranca dhe opozita merren vesh për të përshpejtuar ngutshëm miratimin e reformave të kërkuara nga Brukseli, duke dëshmuar paraprakisht vendosmërinë e Shtetit shqiptar në realizimin e asaj çka nënvizohet në Preambulën e Traktatit të Bashkimit Europian dhe në akte të tjera komunitare: "Për krijimin e një Unioni gjithnjë e më të ngushtë midis popujve të Europës".
Përkundrazi, nëse ngjarjet edhe në tri javët e ardhshme do të vazhdonin të zdërhalleshin si deri më sot, duke pasuar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës një iluzion të humbur, tek e fundit ka të ngjarë që rreziku në mënyrë të shpejtë dhe më kritike do t'i përplasej nga të gjitha anët dhe më së shumti karrierës së përfaqësuesve të mazhorancës, mbi të cilën do të rëndojë përgjegjësia e këtij dështimi mbi dështimet e tjera të panumërta të saj.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›