Rita rrëfen historinë e emrit

Rita Ora, e filloi këtë vit me qëndrimin e saj në Tajlandë, ku realizoi xhirimet e videoklipit me Snoop Dogg (Snoop Lion), për të vazhduar me Parisin, në sfilatën e shoqes së saj, supermodeles Cara Delevingne, për tu kthyer në Britani të Madhe me turneun e saj "Radioactive".
Historia britanike e Rita Sahatçiut fillon me largimin nga regjimi brutal i Slobodan Millosheviqit në Kosovë.Vite më vonë, ajo u kthye në të famshmen Rita Ora, që bashkëpunon me Jay Z e Tinie Tempah, ndërsa shoqërohet me këngëtaret Beyonce e Rihanna. Para se të arrinte në majat e toplistave botërore, Rita ka kaluar kohë të vështira.
Duke folur për britaniken "Standard", këngëtarja ka rrëfyer largimin e prindërve të saj, Besnik dhe Vera Sahatçiu, nga Prishtina në vitin 1991 dhe arritur në Londër, kur ajo ishte vetëm një vjeçare. Rita ka treguar se asaj i është vënë ky emër nga gjyshi i saj, regjisori Besim Sahatçiu, sipas yllit të kinematografisë, aktores së tij të preferuar Rita Hayworth. Ndërkohë, në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, Rita ka pranuar dhurata të dërguara nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përfshirë edhe një xhubletë të vjetër 100 vjeç. /Indeksonline/