E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bukur kur del fitimtare"

Venera Lumani, që nga audicionet, nuk ndaloi së punuari me mentorin e saj, duke arritur kështu finalen, madje edhe kupën e ”The voice of Albania”. Vajza nga Struga e Maqedonisë, studente në Universitetin ”Shën Kirili & Metodi” në Shkup, synim kishte finalen, edhe pse deri më tani ishte vlerësuar nga disa juri profesioniste. 

"Unë kam marrë pjesë në Star Akademi, ku u vlerësova si më e mira nga juria profesioniste me në krye prof. Agim Krajkën dhe në një garë tjetër tepër të fortë në Maqedoni si New Stars, ku fitova çmimin e parë dhe nga juria dhe nga publiku. Te kjo e dyta, ndonëse ishte garë tipike maqedonase, unë disa herë u prezantova me këngë nga artistët shqiptarë", ka thënë ajo për "Panorama".

Tutje, ajo ka treguar se synim i saj ishte fitorja: "Për të qenë e sinqertë me veten dhe me të tjerët do të thosha se është shumë e rëndësishme të marrësh pjesë në secilën garë të kësaj rëndësie, por edhe më e bukur kur del fitimtare nga ajo dhe kur askush nuk e konteston fitoren tënde."

Ndërsa lidhur me parashikimet dhe pritjet, Venera ka thënë: "Të them të vërtetën, si çdokush tjetër edhe unë e njoh veten time dhe besoj te vetja, sepse lavdi Zotit kurrë nuk më ka zhgënjyer. Por duke pasur parasysh se gjithçka është relative, atëherë e kam të qartë se mbi të gjitha nevojitet shumë punë dhe impenjim maksimal, sepse nuk thonë kot talenti është diçka, por puna gjithçka. Sidoqoftë, parashikoja se gjithçka do të shkonte në mënyrën më të bukur." /Indeksonline/  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›