E Martë, 3 Nëntor 2026

‘Rithemelimi’ i PD: Reforma në Kodin Zgjedhor duhet të nisë nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të ‘Rithemelimit’, Gazment Bardhi, duke iu përgjigjur interesit të mediave lidhur me reformën zgjedhore, deklaroi se “komisioni i Posaçëm dështoi në dy vite pune”.

Sipas tij, puna për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të nisë nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

“Grupi Parlamentar i PD është në përballje me Edi Ramën. Lojën me luftë brenda opozitës mund ta vazhdojë kushdo tjetër, por jo ne. Ne bisedimet i kemi bërë transparente me kryetarët e grupit parlamentar. Morëm një javë kohë për të diskutuar dhe gjetën mirëkuptim në një proces transparent. Epitetet që ata i vënë këtyre diskutimeve, vjen nga eksperienca e tyre shkuar.”, tha Bardhi.

Sipas tij, grupi i Bashës kaa patur dy vjet që ta bindnin e t’i imponoheshin Ramës.

“Donin të flinin gjumë dhe reaguan kur grupi i PD kërkoi t’i largojë nga karrigia. Ato s’nxitën asnjë debat për reformën zgjedhore, qëndruan në karrige pa ushtruar presion për reformën zgjedhore. E dimë që Rama nuk e do Reformën Zgjedhore. Por, ishte detyra e opozitës në këto dy vite, që  ta trajtonte këtë reformë si prioritet të opozitës. Dështuan me turp, të mbajnë koston e këtij dështimi”, tha Bardhi.

Lidhur me reformën zgjedhore, ai tha se pikënisja e debatit duhet të jenë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, teksa foli dhe për mbështetjen e emigrantëve.

“Sa i takon votës së emigrantëve, kam mbështetur ligjin e propozuar nga “Diaspora e Lirë”, e kemi futur në procedurë parlamentare. Është detyrim që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. PD do duhet ta nisë diskutimin tek garancitë për zgjedhjet e lira e të ndershme. Pasi çdo lloj sistemi që aplikojmë ne, deformojnë rezultatin e zgjedhjeve, do të ishte i pavlefshme për sa kohë deformohet vullneti i qytetarëve të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Lidhur me Amnistia Penale, Bardhi u shpreh se në parim “mbështesim ligjin e amnistisë.”

“Tashmë që veprimtaria e Kuvendit është kthyer në normalitet, çdo pr/ligj do të shqyrtohet. Ne kemi pasur një shqetësim publik, që ka të bëjë me vendimet e dhëna nga SPAK-u dhe GJKKO, propozimi që kjo kategori të mos përfitojë, kjo ka mbështetjen tonë”, nënvizoi Bardhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›