Ritmi latin mberrin dhe ne Shqiperi
24/03/2009 Edhe pse gjeografikisht larg, ritmet latine po mbërrijnë edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë për ata që i njohin e i dashurojnë këto ritme, e një prej tyre është edhe Sokol Abazi, i cili ra në kontakt për herë të parë me muzikën latine gjatë udhëtimit që bëri në Kubë disa vjet më parë. Ai u dashurua pas kërcimit Salsa dhe më pas e praktikoi në Zvicër dhe në Angli, dashuri e cila më pas u shndërrua në profesion. Ka qenë pikërisht ndjenja e tij për këtë stil kërcimi që e shtyu drejt hapjes së shkollës së kërcimit latin. Kthimi i tij në Shqipëri u shoqërua edhe me ëndrrën për ta sjellë këtë mënyrë kërcimi në Shqipëri. Vetëm dy ditë më parë ai inauguroi klubin e tij në Tiranë, i pari në këtë lloj, në të cilin ofrohet mësim edhe falas për të gjithë dashamirësit e këtyre ritmeve. Të ftuar në këtë mbrëmje inaugurimi, të veçantë në llojin e vet, ishin miq të Abazit, mes të cilëve edhe njerëz të njohur të artit apo politikës, si Adi Krasta, Manjola Bejleri etj. Ata ndanë mes tyre për disa orë nën ritmet e muzikës latine dhe përplasjeve të gotës së verës kënaqësinë e pjesëmarrjes në një eveniment të rrallë në llojin e vet. Vetë iniciatori dhe organizuesi i këtij aktiviteti, Abazi, shpjegoi gjatë një prononcimi për mediet arsyet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë nismë. “Ofrimi i këtyre ritmeve për dashamirësit shqiptarë ka qenë një dëshirë imja, që i ka fillesat e saj para disa vjetësh, por vetëm tani munda ta realizoja. Në klub synojmë të ofrojmë mësime për të gjitha moshat dhe të të gjitha llojeve të kërcimeve latine, si Salsa, Bachata, Merengue, Cha Cha, Ruenda, Argentian Tango. Orët do të ofrohen nga profesorë të diplomuar në këtë fushë, që kanë eksperiencë në mësimdhënie në shumë vende të Evropës, ku përmend Zvicrën, Gjermaninë, Italinë, Danimarkën etj.”, - thekson ai. “Salsa Club”, siç ka marrë emrin klubi, ndodhet te 3 kullat pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe mirëpret dashamirës të të gjitha moshave, vendas dhe të huaj.