Rivendosja e prestigjit 8 vjet pas 11 shtatorit
Kritika ndaj Guantanamos, skandali i Abu Graib-it, akuza se të drejtat e njeriut po pësojnë erozion – nën presidentin George W. Bush, prestigji i SHBA-së u dëmtua – në radhë të parë për shkak të metodave të tij të ashpra në luftën kundër terrorit. Nën Barack Obamën kjo po ndryshon, sepse ai ka vendosur prioritete të tjera. Menjëherë pasi mori detyrën, Presidenti amerikan, Barack Obama, u përpoq të gjente një ton të ri ndaj vendeve me popullsi kryesisht myslimane. Këtë e pohon drejtori i organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch në Uashington, Tom Malinowski:
“Presidenti Obama sinjalizoi në fjalimin e tij në Kajro një qëndrim të ri. Fjala është për një partneritet, për kërkimin e një kompromisi, për aftësinë për të vënë vesh. Jo kushdo, që nuk është i një mendimi me SHBA-në, konsiderohet armiku i saj. Çështja është që të rivendoset prestigji moral i SHBA-së”.
Kredibiliteti i Amerikës në çështjen e të drejtave të njeriut është dëmtuar nga administrata e Bushit. Në fakt, George W. Bush është angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por qeveria e tij shumë shpesh nuk i ka respektuar ato. Kundërshtarë të vërtetë apo të supozuar nga shtetet myslimane u arrestuan ose u torturuan pa proces ligjor. Organizatat e të drejtave të njeriut si Human Rights Watch e kanë denoncuar përherë këtë procedurë. Tom Malinowski thotë se nën Obamën kjo ka ndryshuar.
“Nuk ka më tortura gjatë marrjes në pyetje nga shërbimi i fshehtë CIA, nuk ka më burgje të fshehta. Njerëzit nuk rrëmbehen më në Evropë për t'i dërguar në burgjet e torturave diku në botë”.
Në radhë të parë ngritja e kampit të të burgosurve në bazën ushtarake amerikane Guantanamo pas sulmeve të 11 shtatorit e ka dëmtuar prestigjin e SHBA-së. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Presidenti Obama pati deklaruar se Guantanamo do të mbyllej në janar. Zbatimi i vendimit paraqitet i vështirë, thotë Malinowski:
“Vështirësia kryesore është të vendosësh se çfarë duhet bërë me 240 të burgosurit, të cilët janë lënë nga administrata e fundit në Guantanamo. Secili është i mendimit, që ata të cilët kanë qenë të përfshirë në akte terroriste, duhen dënuar. Por, disa druhen se mund të ishte e vështirë, t'i dënosh disa nga të burgosurit, meqenëse ata janë torturuar në të kaluarën apo sepse kanë humbur dëshmitë kundër tyre".
Të burgosurit e pafajshëm, që kanë kryer vite dënimi, duhet të kthehen në vendet e tyre, përderisa kjo është e mundur. Në ato raste, kur kjo është e pamundur, SHBA-ja u lutet shteteve mike, që t'i pranojë ata. Administrata aktuale amerikane e ka kuptuar se respektimi i të drejtave të njeriut i shërben në fund të fundit sigurisë së vetë vendit. Kështu mendon eksperti për Lindjen e Afërt i organizatës joqeveritare POMED në Uashington, Andrew Albertson:
“Administrata Obama e ka kuptuar se ne jemi më të fortë në luftën tonë kundër terrorit - pavarësisht nëse është fjala për Al-Kaedën, talebanët në Afganistan apo sulmuesit në Irak - në qoftë se përqendrohemi te mbrojtja e sigurisë së njerëzve. Ne duhet të rivendosim kredibilitetin tonë në çështjen e të drejtave të njeriut".
Megjithatë, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të zbatohet. Në sfondin e krizës ekonomike botërore shumë amerikanë e shohin me sy gjithnjë e më kritik angazhimin ushtarak të vendit të tyre në Afganistan, në Irak, në Kosovë, në Bosnjë apo në shtete të tjera. Barack Obama po përpiqet t'i lutet për durim opinionit amerikan. Në të njëjtën kohë ai po ndryshon politikën e tij ndaj konfliktit të Lindjes së Afërt, thotë Tom Malinowski i Human Rights Watch:
“Konflikti izraelito-palestinez shihet me tjetër sy. Administrata për shembull është më rigoroze ndaj politikës së ngulimeve të izraelitëve. Ka një qëndrim shumë më të diferencuar dhe inteligjent në lidhje me Afganistanin dhe Pakistanin. I kushtohet më shumë vëmendje sesa në kohët e Presidentit Bush sundimit të ligjit dhe demokracisë në Pakistan. Këto janë gjëra, të cilave pakistanezët u kushtojnë vetë vëmendje, jo vetëm amerikanët”.