E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamid Karsai, fitues apo mashtrues?



Tri javë pas zgjedhjeve në Afganistan, komisioni zgjedhor kumtoi se Presidenti Hamid Karsai ka arritur një epërsi, e cila i siguron rizgjedhjen. Njëkohësisht, janë shtuar zërat për manipulime dhe mashtrime me votat. Cilat ishin premtimet e bashkësisë ndërkombëtare për Presidentin Hamid Karsai? Figura kryesore në procesin e Petersbergut, do të duhej të sillte paqen, sigurinë dhe demokracinë në vend.

Me gjithë rezervat ndaj rezultatit të zgjedhjeve, është e sigurt se Afganistani nuk është bërë një vend më i sigurt, më i lirë dhe demokratik. Pikërisht, protagonisti i proceseve demokratike po përballet me kritika të shumta. Shtabi i tij fajësohet për mashtrime masive në votime, të cilat duhet të rishikohen. Shumë afganë nuk janë befasuar, sepse ekipi i Karsait edhe më parë ishte i kontestueshëm. Korrupsioni, baronët e drogës dhe shpërdorimet ekonomike janë vetëm disa nga kritikat e shumta që dëgjohen në llogari të bashkëpunëtorëve të tij.

Një përshtypje e rrezikshme, e cila me siguri që nuk do ta forcojë demokracinë dhe besimin ndaj sistemit të shtetit. Veten nuk e ndien mirë asnjë prej atyre, të cilët, me gjithë kërcënimet e talebanëve, kanë dalë në votime. Madje edhe në qoftë se mashtrimet ishin aq të vogla sa nuk do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve, me siguri që kjo paraqet një ngarkesë të madhe për qeverinë e ardhshme.

Kjo është e keqe edhe për partnerët e Afganistanit: SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilat me dëshirë që tani do të përcaktonin afatin e tërheqjes së trupave nga ky vend. Përgjegjësinë në vend duhet ta marrë një qeveri dhe një president i përgjegjshëm, i cili mund të kujdeset për siguri në vend.

Për caktimin e një date të tërheqjes së trupave tani nuk mund të bëhet fjalë. Afganistani mbetet një fuçi baroti e pakontrolluar, që do të thotë se mbetet si protektorat i NATO-s. Kritikat ndaj Karsait dhe shtabit të tij zgjedhor me siguri që janë me vend, por në disa pyetje duhet të përgjigjen edhe ata që kanë financuar procesin zgjedhor. A thua nuk ishte e mundur që vetë të kujdesen për një ecuri më të mirë të zgjedhjeve?

Fjalët e mira të BE-së për, siç thuhej, "zgjedhje kryesisht pozitive", ishin një vlerësim jo i qëlluar. Talebanët me siguri që do ta shfrytëzojnë këtë gjendje. Duart do t'i fërkojë edhe dikush tjetër: Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, do të thotë se bashkësia ndërkombëtare është dyfytyrëshe, kur flet për manipulimin e zgjedhjeve.

Po sa do të ndikojë e gjitha në strategjinë ndaj Afganistanit? Aspak, sepse demokratizimi, rindërtimi dhe vendosja e paqes nuk kanë alternativë. Në veçanti kur dihet se më shumë se 50 për qind e afganëve dolën në zgjedhje, të cilat nuk kanë çuar përpara, por një hap mbrapa

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›