Rivlerësimi i punonjësve të AKU-së, Kristo: Vijojmë me testimin e aplikantëve

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Në Universitetin Bujqësor të Tiranës po vijon procesi i intervistimit të të gjithë punonjësve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Kryetari i komisionit të vlerësimit, profesor në UBT, Ilir Kristo, u shpreh se procesi ka ecur i qetë dhe se të gjithë punonjësit e drejtorive rajonale do t’i nënshtrohen testimeve.
“Jemi caktuar pesë anëtarë të komisionit për këtë proces. Kemi bërë një ndarje për çdo ditë, edhe me orare: nga ora 8:30 deri në 11:30–12:00, njëri turn, pastaj një turn të dytë zakonisht me ata që vijnë nga rrethet. Kjo është procedura e përgjithshme dhe shpresojmë që brenda kësaj jave ta mbyllim të gjithë këtë proces dhe t’i nënshtrohemi procesit të përpunimit të rezultateve”, tha Kristo.
Ky proces është pjesë e reformimit institucional për ngritjen e Inspektoratit Qendror, sipas standardeve të BE-së, ku cilësia e personelit dhe përgatitja e tyre akademike të jetë në themel të një rritje cilësore të profilit të punës së inspektorit.
Pas përfundimit të tri fazave të testimit, të gjithë punonjësit e AKU-së do të marrin së shpejti edhe vlerësimin final, i cili është përgatitur në bazë të rezultateve të secilës fazë.
275 inspektorë të AKU-së po i nënshtrohen testimit dhe intervistave individuale, që do të vijojnë deri më 5 shtator.
e.xh/j.p/