Rivlerësohen françeskanët
Autorët françeskanë dhe kontributi i tyre në kulturën shqiptare nëpërmjet veprave letrare dramaturgjike, etnologjike, publicistike, historike e filozofike, ishin në qendër të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike, e cila u zhvillua dje paradite në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë.
Në këtë konferencë u trajtuan aspekte të rëndësishme si të poetikës letrare të “shkollës letrare françeskane”, ashtu edhe kësaj dukurie tërësore kulturore krejt origjinale në kulturën shqiptare, studimi i së cilës ende nuk është i plotë. Është hera e parë që këto vepra të rëndësishme, të lëna në harresë deri më sot nga historiografia shqiptare, bëhen objekt i një konference shkencore ndërkombëtare, me pjesëmarrës nga disa qendra studimore brenda dhe jashtë vendit. Të pranishmit në këtë tryezë hodhën idenë se rishkrimi i historisë së letrave shqipe nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh kontributin e shumanshëm të tyre në dokumentimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.
Prof. Sabri Hamiti në kumtesën e mbajtur për At Zef Pllumin, si një ndër përfaqësuesit e françeskanëve, nënvizoi se “ky autor në “Françeskanët e mëdhenj”, ka krijuar një vepër monument për monumentet e kulturës shqiptare. Vepra e tij është një dëshmi dhe vlerësim në fillim e në fund, një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues, por edhe krijues i letërsisë shqipe". Ndërsa studiuesja Dhurata Shehri tha se "për arsye kryesisht jashtë letrare gjatë 50 viteve një pjesë e mirë e autorëve françeskanë, duke filluar nga autori më i madh, Gjergj Fishta, nuk është lejuar të mësohet në shkolla dhe të studiohet nga nxënësit, duke sjellë një problem në qarkullimin e vlerave në letërsinë shqiptare". Sipas saj, një arsye tjetër për të risjellë në vëmendje autorët françeskanë është fakti që autori i madh françeskan At Zef Pllumi me dy veprat e tij “Rrno vetëm për me tregue” dhe “Françeskanët e mëdhenj”, risolli letërsinë françeskane, letërsinë e gegërishtes letrare. Shehri tha se "në letërsinë shqipe në momentin që ridel në qarkullim një vepër e re ndryshojnë komplet hierarkitë dhe ndoshta vepra e At Zef Pllumit, në fakt ka ndryshuar dhe një herë të gjitha hierarkitë e letrave shqipe, dhe kjo ndoshta është një nga mënyrat më të mira për të rishqyrtuar çka ka ndodhur me autorët françeskanë, të cilët janë trajtuar pak, shumë ose aspak në historinë e këtyre 50 viteve të letërsisë shqipe".
Konferenca u organizua nga Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.