Shkolla ime, e vjetër dhe e re
Shqipëria jonë ndër shekuj ka lënguar nën thundrën e pushtuesve të huaj. Robëria pengoi zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të vendit. Të gjithë e dimë se çdo pushtues kishte ndikimet e veta negative në të gjitha fushat e jetës. Veç lirisë së humbur, u shkatërrua ekonomia, ndalën zhvillimet sociale dhe sidomos u ndal zhvillimi kulturor i vendit, të cilin e vuajmë edhe sot. Kultura e huaj jo vetëm bëhej pengesë për zhvillimet kombëtare, por bënte të mundur edhe eliminimin tonë si komb. Një nga tre elementët që përcaktojnë kombin, është gjuha. Për aq kohë sa nëpër zyra, nëpër shkolla e kudo përdorej dhe shkruhej gjuha e huaj, shqiptarët në vend që të ecnin përpara, kalonin me shekuj në regres. Ata që emigruan apo që u arsimuan në Perëndim, të etur për dije dhe zhvillim, me dëshirën dhe vullnetin e mirë për ta forcuar kombin më të lashtë të Evropës, krijuan klube kulturore-patriotike, si në Stamboll, Rumani, Bullgari, SHBA, Kalabri etj. Është gabim nëse themi se gjuha shqipe u shkrua vetëm në shekullin e fundit. Dokumenti i parë në gjuhën shqipe është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Më pas janë veprat e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit dhe të të gjithë rilindasve arbëreshë. Përpjekjet për shqipen e shkruar kanë qenë gjithmonë në rritje. Krahas luftës për gjuhën shqipe të shkruar, përgatiteshin edhe kryengritjet e armatosura për liri. Shqiptarëve u duhej një abetare që të mësonin gjuhën e mëmës. Abetarja e parë e gjuhës shqipe u botua nga Naum Veqilharxhi më 1844 dhe u ribotua më 1845 me 50 faqe dhe e pasuruar me copa leximi. Kjo abetare e vuri Shqipërinë në radhën e vendeve te qytetëruara dhe tregoi se ky vend i vogël ka një popull me karakteristikat e tij, me gjuhën dhe zakonet e veta dhe me një thesar kulturor të trashëguar nga brezat. Më 1867 Konstantin Kristoforidhi botoi abetaren në dy dialekte: gegërisht dhe toskërisht. Për librat shkollorë dhe hapjen e shkollave punuan atdhetarët Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Koto Hoxhi, të cilët më 1879 botuan "Alfabetarja e gjuhës shqipe". Më pas botuan abetare Luigj Gurakuqi (1905), Parashqevi Qiriazi (1906), Nikolla Lako (1906), Simon Shuteriqi (1911) etj. Kurse në vitet e mëvonshme dolën në dritë abetaret e A. Xhuvanit, Th. Papapanos, J. Mingës, duke krijuar kështu një abetare që përshtatej me kërkesat e kohës, me moshën dhe veçoritë psikike të fëmijëve. Këto kishin krijuar tashmë kushtet për hapjen e shkollave shqipe.
Hapja e shkollës së parë shqipe ishte një rrugë e gjatë e vështirë, por shumë fisnike. Mësonjëtorja e parë shqipe u hap në Korçë në vitin 1887, kurse në trojet shqiptare të Kosovës u hap në Prizren më 1889. Shkolla e vajzave u hap në Korçë, më 1891. Shkolla e mesme pedagogjike për të përgatitur mësuesit e parë, u hap në Bukuresht të Rumanisë në vitin 1892, kurse Normalja e Elbasanit u hap më 1909. Ndërkohë që bisedoj, për alfabetin e gjuhës shqipe në Vlorë dhe rreth saj u hapën shkollat para Kongresit të Manastirit. Ndërsa në qytetin e Vlorës shkolla e parë është kjo, e cila u hap më 8 gusht të vitit 1908. U pasua nga shkollat e Kaninës në tetor të 1908-ës, e Tragjasit dhe pastaj me radhë. Nuk duhet të harrojmë se të gjithë shqiptarët e arsimuar jashtë, që kishin pasur lidhje me klubet dhe shoqatat patriotike, sollën në vend fshehurazi librat shqip. Këta patriotë qysh para 1900-ës, në shtëpitë e tyre kishin bërë odat-klasa. Vetëm në Kaninë ishin gjashtë të tilla. Kurse më 1902, në Kaninë u mblodh një kuvend për zyrtarizmin e gjuhës shqipe.
Unë dhe cilido që ka pasur fatin të ketë qenë nxënës i shkollës Nr-1, sot “28 Nëntori”, duhet të jetë krenar. Kur isha në bankat e kësaj shkolle, kurrë nuk më shkonte në mend se në moshë madhore do të kisha nostalgji për këtë godinë të lashtë. Do të kisha mall për këtë rrugicë ku vraponim si trumcakë se mos humbisnim orën e mësimit. Kjo godinë e vjetër, që ka nxjerrë intelektualë në fusha të ndryshme të jetës, ka nevojë për kujdesin e të gjithëve dhe ia vlen që u quajt “Monument Kulture”. Këto klasa, kjo godinë e lashtë, e cila më mësoi ABC-në, që më mësoi të dua mëmë e atë, që të dua këtë tokë të larë në gjak, të dua njerëzit e drobitur nga hallet dhe vuajtjet shekullore, por mbi të gjitha, më edukoi të jem shqiptare, më bëjnë sot të drithërohem. Ndaj, përulem me nderim para këtyre mureve, kësaj godine të bekuar, që edhe pse e moshuar, mua më duket kështjellë, ngaqë më bëri njeri.
Në këtë 100-vjetor kujtoj me nderim ata breza mësuesish të palodhur, të cilët pa mjete, pa libra, pa kushte për të zhvilluar një mësim normal, u vetëmohuan për të na dhënë cilësitë më të mira të qenies së tyre humane, maksimumin e dijeve shkencore. Ata mësues të palodhur, që vlerësonin vështirësitë e jetës, harronin veten dhe trokisnin portë më portë, për të pasur lidhje të ngushta me familjet e nxënësve. Jo pa dashur përkëdhelte kokën e një jetimi apo varfanjaku dora e ngrohtë prindërore e mësuesve tanë të mrekullueshëm. Do të më lejoni të kujtoj me nderim dhe mirënjohje mësuesit e mi Serrie Çabej, Ptoleme Bega, drejtorin e shkollës “28 Nëntori” që gjithmonë buzëqeshte me dashamirësi për mbarëvajtjen tonë, Skënder Hamiti, të cilin e kisha mësues të letërsisë dhe gjuhës, mësuesin e historisë, Ahmet Kikino, të gjeografisë, Koço Baltatori, të fizikës, Stavri Petriti, të matematikës, Baki Tushe, të biologjisë, Musa Muho, të gjuhës së huaj, Nikoleta Mano, të vizatimit, piktorin e talentuar, Vasil Talo, të muzikës, kompozitorin e shquar, Tish Daija, të fizkulturës, Eqerem Kushta dhe Zarife Kuka. I kërkoj ndjesë ndonjë mësuesi që pa dashje mund ta kem harruar. Falë punës së tyre dhe vullnetit të fëmijëve, në dekada mësuesish nga kjo shkollë kanë dalë mjaft nxënës të mrekullueshëm, të cilët pas studimeve kanë dhënë dhe japin vlerat e tyre intelektuale dhe profesionale në fusha të ndryshme të jetës. Po përmend se nga kjo shkollë kanë dalë personalitete, si: Akademik Shaban Demiraj, poeti Fatos Arapi, shkrimtari Petro Marko etj. Mes tyre do të përmendja një figurë me përmasa botërore, prof. dr. Isuf Luzi, që ende nuk njihet në Shqipëri. Është autor i 120 veprave letrare dhe kryesisht filozofike. Ky personalitet që jetoi në mërgim, është renditur mes 9 filozofëve më të mëdhenj të shek. XX. Shumë prej tyre sot ndoshta nuk jetojnë, por kanë lënë pas atë ç’kanë thënë apo bërë, kanë lënë vlerat e tyre si monument kulture. Shumë të tjerë kanë marrë rrugët e emigracionit. Gjithsesi, ata kurrë nuk kanë për ta harruar shkollën e tyre ku shkelën për herë të parë. Nuk besoj të ketë ndonjë njeri që nuk emocionohet kur kujton zilen e parë, klasën e parë, bangën ku u ul për herë të parë, mësuesin e parë. Kurrë nuk shlyhet nga kujtesa gëzimi që ndien fëmija kur shkruan fjalët: “Nënë”, “Baba”, “Atdhe” dhe “Shqipëri”. Ndër vite shkolla “28 Nëntori” ka krijuar traditën e vet, në rritjen cilësore të mësimdhënies, metoda këto të trashëguara qysh nga hapja e saj e deri më sot, të cilat kanë qenë përherë në rritje duke ecur paralel me kërkesat e kohës. Kjo godinë, ku hodhëm hapat e para drejt dijes, kulturës, shkencës dhe mirësisë, e cila na çeli portat e jetës, nuk mund të harrohet. I uroj miliona 100-vjetore shkollës sime, shkollës Nr-1 ose “28 Nëntori”! Nderim dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit, që me misionin e tyre të vështirtë, por fisnik, nxorën dhe nxjerrin në dritë njerëzit e vlerave kombëtare! Përgëzoj drejtoreshën e shkollës, znj. Drita Shehu, për këtë takim dinjitoz dhe e falënderoj thellësisht nga zemra që u kujtua të më thërrasë, duke më privilegjuar si përfaqësuese e brezit të viteve pesëdhjetë, që kanë dalë nga kjo shkollë. Nxënësve dhe mësuesve u uroj: Gëzuar 100-vjetorin e shkollës dhe suksese! Të dashur nxënës, jeni me fat që do të dilni nga kjo shkollë e nderuar.
*Me rastin e 100-vjetorit të shkollës “28 Nëntori”, Vlorë