E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rizgjedhja e Obames rikthehet debati mbi buxhetin

Pas rizgjedhjes së Barack Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë ajo çka pritet të shndërrohet në fokusin e vëmendjes së investitorëve është përplasja mbi masat buxhetore në SHBA. Presidenti Obama ka nevojë për të siguruar një marrëveshje me Kongresin e SHBA për të shmangur të ashtuquajturën “goditje fiskale”. Kjo i referohet 600 miliardë dollarëve të rritjes së taksave dhe uljes së shpenzimeve që janë shkak për të goditur ekonominë amerikane në muajin janar. Pas fitores së  Obamës në tregjet ndërkombëtare pati reagime pozitive. Aksionet në Evropë  pësuan një rritje të lehtë. Indekset kryesore në Britani të Madhe, Gjermani dhe Francë ishin ndërmjet 0.3-0.5%. Analistët e lartë të tregjeve shprehen se përmirësimi i bursave ka ardhë falë faktit se do të ketë vazhdimësi të politikave ekonomike në katër vitet në vijim. Por ajo cka nuk ka ndryshuar janë problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia amerikane dhe pengesa është goditja fiskale. Ata mendojnë se pasi të ulet euforia e fitores së Obamas, kjo duket se është ajo ku e kanë fokusuar vëmendjen tregjet dhe investitorët. Rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve do të hyjnë tashmë në fuqi brenda ditëve të para të muajit janar. Kushtet ekonomike tek ekonomia më e madhe në botë kanë një impakt të dukshëm në zhvillimin e pjesës tjetër të botës. Ato përfshijnë çdo gjë nga mbarimi i skemës së përkrahjes fiskale për individët me të ardhurat të mesme, tek reduktimi në atë sesa do të paguhen doktorët nga Medicare, programi shëndetësor i administruar nga qeveria. Frika është se goditja fiskale nuk do mund të shmanget, dhe do të sjellë një ngadalësim në rimëkëmbjen ekonomike të SHBA-së dhe në rastin më të keq, do të shtyjë sërish në recesion ekonominë. Sfidat e Obamës do të jenë të vështira në sigurimin e marrëveshjeve me Kongresin ku mbizotërojnë republikanët. Ata kërkojnë të shohin një ulje të përgjithshme të shpenzimet federale për të ndihmuar në reduktimin e deficitit buxhetor, dhe shuma e parave që administrata do të marrë hua duhet të mbulojë hendekun. Edhe demokratët duan që të reduktojnë deficitin, por preferojnë ta bëjnë këtë më shumë përmes rritjes së taksave, filimisht tek ata me të ardhura më të larta.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›