Roben si Armstrong, mposhti kancerin dhe shkëlqeu në sport
Kupa e Botës nuk është thjesht një eveniment sportiv, ku pas 64 ndeshjeve të luajtura në një muaj, njëra përfaqësuese shpallet më e mira në glob për katër vjet. Botërori është edhe më tepër se kaq… Mund të krahasohet me një libër që duhet shfletuar, një përmbledhje tregimesh, faqe historie dhe jete, për vende dhe për futbollistë, për qytete dhe njerëz. Në “librin” e Afrikës së Jugut ka një histori që spikat mbi të tjerat: një prej atyre që të bën të buzëqeshësh, sepse ka fund të lumtur, por që ndërsa e lexon të mban me frymën pezull. Dikush ndoshta e di, ndërsa për disa të tjerë mund të jetë hera e parë që e dëgjon. “Prej moshës së vogël ishte e qartë se kishte kualitet. Me topin në këmbë arrinte të bënte gjëra që shumë të tjerë i kishin të vështira vetëm t’i mendonin”. Ky është komenti i Barend Beltman, një prej trajnerëve të parë të Arjen Roben, lojtar i cili është shndërruar në yll të futbollit ndërkombëtar. Veçoria: ishte si një “raketë” kur vraponte me topin në këmbë.
26-vjeçari, që së bashku me shokun e skuadrës Uesli Shnajder udhëhoqën Holandën drejt finales së Kupës së Botës 2010, ku të dielën do të luajnë përballë Spanjës së Ksavit e Vijas, është formuar si lojtar në Akademinë e Groningenit, ndërsa në sezonin 2002-2003 u transferua te PSV Eind’hoven. Aty nuk ishte e vështirë të spikaste: të gjithë filluan të interesoheshin për këtë majtosh që vraponte si i “çmendur” lart e poshtë në krah dhe që arrinte t’i jepte topit trajektore të pakuptueshme.
Ferguson ofroi 7 milionë euro, por presidenti i PSV-së u përgjigj se “me këtë shifër mund të blinte vetëm fanellën me autograf”. Abramoviç, i cili në atë kohë kishte ende dëshirë të shpenzonte para, ofroi 18 milionë euro dhe Roben u transferua në “Stemford Brixh”. Dukej se ëndrra e mesfushorit me tipare të theksuara sulmuese u realizua, por… gjatë pjesës së parë të vitit magjik 2004 për Roben, ai u diagnostikua me kancer në testikuj. Një goditje e tmerrshme për një djalosh 20-vjeçar, ndërsa në pranverë ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për të hequr tumorin beninj. “Nuk kisha më dëshirë ta vazhdoja futbollin, shpjegonte pak kohë më parë ylli holandez. Vendosa ta tregoj historinë time, në mënyrë që shumë njerëz të tjerë të merrnin kurajë nga kjo eksperiencë. Me siguri mund të them se në jetë ka gjëra shumë më të rëndësishme se futbolli, si familja apo shëndeti”.
Fati i Arjen Roben lidhet në mënyrë të pashmangshme me atë të një tjetër ikone sportive, Lens Armstrong. “Turi i Francës 2010” do të jetë i fundit për çiklistin amerikan, që në vitin 1998 fitoi të njëjtën betejë: pas dy vjetëve ai arriti të mposhte kancerin në testikuj dhe më pas u shndërrua në simbolin e luftës ndaj kësaj sëmundjeje. Në vitin 2000, një shok i dhuroi Robenit autobiografinë e “kanibalit” ("It’s not about the Bike"), ku Armstrong tregonte betejën e tij të jashtëzakonshme. “Jam frymëzuar aq shpesh nga ai libër, sa do ta kisha të pamundur të zgjidhja vetëm një moment. Vlerësimi im për Lens është i pafund”. Udhëtimi i tyre sportiv ka qenë paralel: pas sëmundjes, Armstrong fitoi shtatë herë “Turin e Francës”, ndërsa Roben, pasi mahniti me fanellat e çelsit dhe Realit të Madridit, përjetoi një sezon fantastik me Bajernin e Munihut. Tashmë ka shansin të fitojë Kupën e Botës me Holandën, por në të vërtetë e ka fituar botërorin e tij…
#