E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robert Aliaj Dragot: Kënga, lidhja ime jashtëmartesore!

SHKRUAN: Ilda Lumani 25-06-2011 11:34

Robert Aliaj Dragot vjen në një intervistë ekskluzive për gazetën “Mapo”, përmes një udhëtimi artistik me shtigje të shumta. Shkak për këtë u bë provokimi i fundit që na ka bërë. Pikërisht kënga “Vende me parfum”. Por nuk do të ndalemi vetëm aty, muzika, sensualiteti, femra, homoseksualiteti janë disa nga stacionet e këtij rrëfimi. Për më tepër le ta shijojmë së bashku!

Robert, sapo keni publikuar këngën "Vende me parfum", një këngë ritmike që ju risjell ju pas kaq vitesh në muzikë. Si do ta komentonit këtë moment?

Në procesin krijues, momentet të cilat përjetohen fuqishëm dhe që ja vlen t’i analizosh, janë ato gjatë së cilës ti je i angazhuar të sjellësh në jetë një vepër, sepse është ky moment, sa magjik, aq dhe i vështirë, në të cilin ti komunikon dhe jeton me të. Aq më tepër, në rastin e një kënge, e cila të përket vetëm gjatë këtij procesi. Më pas, ajo nuk është më e jotja, i përket nga pak minuta secilit. E parë në këtë perspektivë, marrëdhënia me këngën është një inçest, krijuesi kërkon të ketë lidhje me krijesën e tij. Por kënga është një lavire e denjë që vagabondohet si bletë në zemrat e mijërave njerëzve, i pllenon ata me kënaqësinë që dhuron dhe si një cigane e bukur pushon atje ku e zë nata. Është një kurvë që kërkon të kurvërojë dhe atin e saj.

Klipi është mjaft sensual. Ka qenë ideja juaj për skenat?

Është relativ sensualiteti, sepse sensualiteti i mizës, nuk është ai i gorillës. Klipi ka aq sensualitet, sa i nevojitet për të krijuar fantazmën, e cila ka formën e sasisë së nevojave të secilit. Në vartësi të kësaj, edhe ju po gjykoni masën e sensualitetit të këngës sime. Në raport me një vepër arti, sensi ose përqasja është ajo që nuk e tradhton idenë e përkatësisë. Është normale për mua, e tillë ka qenë përherë, që t’i jap orientimin që dua të gjitha fazave që plotësojnë këtë proces krijues, nga tingulli i parë, tendenca se si do të tingëllojë, përqasja stilistike dhe deri te transformimi i saj në imazh, në klip.

Deri ku do të guxonit ju, në një skenë klipi?

Të guxosh nuk do të thotë të bësh gjithçka që të tjerët domosdoshmërisht nuk e bëjnë dot. Arsyen përse ti guxon e ushqejnë të tjerë elementë, që nuk kanë lidhje me mënyrën se si të tjerët e perceptojnë atë. Ideja është të shkojmë aq larg, sa nevojitet për të dhënë një mesazh të caktuar. Duke qenë një këngë verore, që evokon ndjenja gëzimi, erotizmi, relaksi, party, unë nuk e shoh të arsyeshme të shkoj më larg se kaq, nuk do të ishte një orgji ajo që do të më jepte sensacionin e kënaqësive verore, orgjitë janë më ‘hot’ në dimër. Ata që menduan dhe u shprehen se Robert Aliaj DRAGOT ka bërë një klip me orgji, ndoshta nuk e kanë shumë të qartë definicionin e orgjisë, ah, ndoshta evokon pak gang-bang party, ndoshta!!!

Çfarë nuk do të bënit kurrë në një klip?

Atë që nuk do të dëshiroja ta bëja.

Pas sa vitesh ritakohesh me muzikën dhe si e sheh muzikën shqiptare sot?

Nuk bëhet fjalë për ritakim. Unë kam një marrëdhënie jashtëmartesore me muzikën, nuk e kam braktisur kurrë muzikën, për t’u ritakuar me të. Jetoj në flirt me muzikën gjithmonë. Muzika të bën të pabesë, sepse ti i jep asaj shpirtin, e adhuron, ashtu siç përlotemi me një pjesë muzikore të përsosur, muzika na ngacmon fantazinë dhe, si përfundim, ajo si mëkatare oportuniste, na përdhunon duke penetruar në brendësi të shpirtit, atje ku nuk ka kufij dhe ku ne dhurojmë gjithçka deri në pafajësi. Mund të më quash mua tradhtar?!

Cilët janë këngëtarët që pëlqeni, dhe cilët prej tyre që dominojnë në skena e klipe nuk ju duken këngëtarë?

Këto 20 vite zhvillimi kaotik kanë krijuar oportunistë monstruozë politikë, shoqërorë, artistikë e kështu me radhë, përfitues të të gjitha llojeve. U krijua ideja se gjoja pati një izolim të artistëve nga bota e artit dhe nga mjedisi social-kulturor, duke u justifikuar se na qenka shija e publikut përgjegjësja e vetme për këtë situatë autoghetizacioni të faktorëve muzikorë. Ajo që ka ndryshuar vazhdimisht kanë qenë shijet e kondicionuara nga ndotja akustike, mentaliteti, mungesa e stilit, vulgariteti, të gjitha këto së bashku përbëjnë identitetin e trazuar muzikor shqiptar, që nuk po gjen një vend të merituar në hapësirën kulturore dhe sociale. Është e qartë që bota e krijimit muzikor, bota kreative shqiptare gjithnjë e më shumë u qeveris nga njerëz joprofesionistë, të cilët paraqitën dy rreziqe të mëdha për artistët e vërtetë: kthimin e një dogme estetike uniforme dhe zhvillimin e një fytyre të re artisti kloun, i cili ishte i detyruar praktikisht të mbijetonte financiarisht dhe për këtë duhej të fabrikonte maska, për të mbijetuar artistikisht ose mediatikisht! kështu banaliteti u bë normë, shije standarde e masës. Pra, shumica e artistëve që u evidentuan në këtë periudhë, më rezultojnë si krijesa krize, më tepër se sa produkte që gjenerojnë kulturë.

Robert, ju kanë bezdisur ndonjëherë paragjykimet?

Paragjykimet janë si ato bimët parazitare, që gjithçka duan ta ndërtojnë mbi kurrizin e një peme të shëndoshë, prandaj duhet të shkulen me rrënjë. Jam i sigurt që ti do të më pyesje: atëherë mos vallë shoqëria shqiptare po të duket si një pyll shkurresh?!

Ndoshta! Por, Robert çfarë ju mërzit kështu, kur jeni në Shqipëri?

Distanca nga të dashurit e mi është ajo më e rënda. Vështirësitë me të cilat përballesh kudo, janë një histori më vete, lëre pastaj mentalitetin konfliktual dhe shumë agresiv me të cilin politika shqiptare ka infektuar çdo individ dhe familje, duke i rrënuar ata financiarisht dhe moralisht.

Kjo këngë është thjesht një dëshirë e juaj, apo një përgatitje e një terreni të ri për karrierën tuaj muzikore?

Gjithçka e bëj me dëshirë dhe impuls, por mendoj se edhe nevoja që kam për t’ju rikthyer muzikës më është bërë më evidente.

Jeni natyra e aventurës, e çmendurisë? Cila ka qenë më fantastikja prej tyre?

Aventura është frut i çmendurisë, kështu unë dua të besoj se çdo natë prehem në krahët e tyre, në një shtrat ëndrre.

Ç'është femra për ju? Si do ta përkufizonit atë?

“Gainsbourg” ka thënë: gruaja, një e keqe e domosdoshme dhe pasuri e panevojshme. Unë nuk jam dakord me këtë. Përfundimisht besoj në këndvështrimin e një shoqërie me pikëpamje antiraciste dhe antidiskriminuese, e cila nuk e përcakton një grua në vartësi të madhësisë së gjirit të saj dhe formave të bythëve…

Sjellja njerëzore të çon te tradita. Besimet tradicionale janë transformuar në një lloj të menduari stereotip të tipit: mashkulli është mbi femrën, e holla më fine se e trasha, i pasuri i privilegjuar mbi të varfrin, dhe kështu me radhë. Femrat e përjetojnë supermacinë e mashkullit në vartësi të traditave të ndryshme kulturore dhe mundësive, për të luajtur një rol drejtues në familje apo në shoqëri. Unë konstatoj se këto tipare ekzistojnë mjaft dukshëm në kulturën tonë. Në shoqërinë e sotme, gratë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me burrat. Për ta përkufizuar atë, ne duhet të përcaktojmë se çfarë janë gratë. Kur isha më i vogël, më dukej shumë më e lehtë për të përcaktuar se ç’është një vajzë ose një grua. Ajo që më bënte të përtypesha ishin cicat dhe e identifikoja një femër si cica me këmbë. Pastaj kuptova që kishte diçka më tepër se cicat e kështu me radhë. Megjithatë, me pjekuri, roli i tyre bëhet shumë më i komplikuar, sepse i përshtaten mentalitetit të shoqërisë, duke e kuptuar atë dhe se çfarë duhet pranuar për të mbijetuar në një ambient me një mentalitet super maskilist.

Cili është opinioni juaj për homoseksualët?

Çështja e sjelljes homoseksuale është përfolur shumë kohët e fundit. Homoseksualët pretendojnë se të drejtat e homoseksualëve janë vonuar. Shoqëria duket sikur po lëviz në këtë drejtim. Në shumë vende të botës perëndimore, çiftet homoseksualë kanë statusin e çifteve heteroseksualë, në lidhje edhe me përfitimet nga sigurimet shoqërore. Disa udhëheqës të kishës janë duke dhënë bekimin e tyre për marrëdhënie homoseksuale, ka madje edhe njerëz në pushtet që janë homoseksualë. Mendoj se po të gjykonim nga pozita toleruese, do të gabonim, sepse pikërisht që aty fillon diskriminimi që ju bëjmë homoseksualëve. Unë do të thosha që nuk i paragjykoj kurrsesi, ashtu sikurse ekzistojnë heteroseksualët, ekzistojnë dhe homoseksualët. Mendoj se është një deviacion natyror dhe prirje seksuale për ta gjetur kënaqësinë te seksi i njëjtë. Mua personalisht, kjo nuk më pengon, kjo është një zgjedhje dhe tendencë natyrore e secilit dhe një kërkim i seksualizmit dhe sensualizmit të individit, pra diçka tepër personale. Mua do të më shqetësonte vetëm në aspektin social dhe biologjik, çështja e riprodhimit natyror, megjithëse dhe kësaj ja kanë gjetur: me metodat e avancuara të gjenetikës e inseminacionit artificial arrihen dhe fëmijë të çifteve homoseksuale, të paktën të njërit prej të dyve. Por nuk do të paragjykoja kurrsesi, është e lehtë të themi çfarë është e drejtë apo e gabuar, sipas një këndvështrimi personal. Mendimi im është që ne kemi nevojë të fokusohemi dhe të përmirësojmë mënyrën e të gjykuarit, për ta çuar më tej shoqërinë njerëzore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›