Fabregas: Guardiola, idhulli im
Mesfushori i Arsenalit, Çesk Fabregas, ka refuzuar të komentojë të ardhmen e tij në klub, por shprehu admirimin e tij për trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola. Çifti ka një histori më vete. Fabregas depërtoi nga akademia e gjigantit katalan para transferimit te Arsenal në vitin 2003, ndërsa Guardiola zhvilloi mbi 300 ndeshje për Barcelonën para fillimit të karrierës së suksesshme si trajner, fillimisht me ekipin e të rinjve e pastaj me skuadrën e parë. “Pep Guardiola gjithmonë ka qenë idhulli im më i madh në fushë”, tha Fabregas për të përditshmen sportive katalane “Sport”, gjatë një ngjarjeje promocioni në Xhakarta. Mesfushori, 24 vjeç, nuk konfirmoi nëse planifikon të largohet nga Arsenali dhe t’i bashkohet Guardiolës në Barcelonë sezonin e ardhshëm, por shprehu krenarinë e tij që përfaqësoi Spanjën në Euro 2008 dhe Kampionatin botëror 2010. “Ndihem i privilegjuar që kam pasur rastin të luaj me disa nga futbollistët më të mirë në botë. Motivimi vjen nga brenda meje. Thjesht e dua topin”, deklaroi ai. Më parë gjatë javës, presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, pranoi se klubi nuk do të paguajë çmimin e vendosur nga Arsenali, që kërkon 35 milionë stërlina për kapitenin e tij Fabregas.