E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robert Ndrenika si doktor Shuster


E. Demo

Aktori Robert Ndrenika është ngjitur dje në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të cilës i mungon prej kohësh. Regjisori Spiro Duni i ka besuar rolin protagonist në komedinë Doktor Shuster të autorit serb Dushan Kovacevic. Është një bashkëprodhim i kompanisë private të teatrit Po që Duni drejton, me Teatrin Kombëtar. Doktor Shusteri është një model njerëzor në një situatë  të përmbysur vlerash në postkomunizëm. Vepra që cilësohet ndryshe si komedi e trishtuar, është shkruar në vitin 2001. E ka sjellë në shqip Timo Flloko. Duni ka angazhuar aktorët Flaura Kureta, Artan Imami, Olta Gixhari, Ermir Sina dhe Mateos Frroku. Skenografia është punuar nga Sabri Basha, dhe kostumet nga Elia Zaharia. Trupa ka vazhduar provat dje paradite në skenën pa drita të Teatrit Kombëtar. Premiera shfaqet më 15 mars.

Janë të shumtë admiruesit e punës së Ndrenikës që presin ta shohin në skenë. Bëhen rreth 4 vite që ai mungon dhe siç është shprehur së fundi në një intervistë është periudha më e gjatë që nuk jam ngjitur në skenë qysh prej fillimit të karrierës. Por nuk më ka shkuar ndërmend të shkëputem prej saj ende. Para pak javësh aktori humbi shoqen e tij të jetës, Poliksenin, nga një sëmundje të pashërueshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›