Raporti, konkurset për punësimet në shtet, sa për sy e faqe
Institucionet shpallin herë pas here konkurse për plotësimin e vendeve bosh që kanë në organigramën e tyre. Pas organizimit të konkursit, vendin e punës e merr në pjesën dërrmuese të rasteve një person i cili ka qenë më parë në marrëdhënie pune nëpërmjet një kontrate të përkohshme duke spostuar të gjithë kandidatët e tjerë që kanë marrë pjesë në garë. Në këtë mënyrë, duket se konkurset për vende pune në administratë zhvillohen në pjesën më të madhe
thjesht për të qenë në rregull me ligjin, pasi në përfundim fituesi del një kandidat i paracaktuar. Ky është një fenomen që konstatohet gjerësisht në institucionet shqiptare, ku rekrutimi i punonjësve nuk bëhet sipas meritës, por gjithnjë fiton një kandidat i përzgjedhur më parë.
Komisioni i Shërbimit Civil sapo ka dërguar në Kuvend raportin vjetor të vitit 2011 në të cilin ndër të tjera, pasqyrohet edhe problematika zhvillimit të konkurseve në mënyrë fiktive për vendet e lira të punës në institucionet e vendit.
Pjesë kontrolleve për vitin 2011 kanë qenë Ministria e Financave; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Punës; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Jashtme; Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Thuajse në të gjitha këto raporte, KSHC vëren shkelje të ligjit në drejtim të përzgjedhjes së punonjësve të rinj, e cila sipas rregullave duhet të bëhet nëpërmjet konkursit të hapur dhe sipas meritës.
Si funksionon skema?
Praktika është e njëjtë shpjegon KSHC thuajse në të gjitha institucionet që janë hasur problematika të tilla: Në rastet kur ka vende pune të lira, institucioni emëron fillimisht një person të caktuar me një kontratë të përkohshme duke e justifikuar me nevojat e menjëhershme të institucionit. Sipas rregullit, personi duhet të rrijë deri në plotësimin e vendit të punës nëpërmjet konkursit. Sipas ligjit, punësimi i një personi në administratën publike nuk mund të bëhet për një kohë më të gjatë se tre muaj me kontratë. Menjëherë pas kësaj duhet të kryhet plotësimi i vendit bosh duke i dhënë punonjësit të e përzgjedhur statusin e nëpunësit civil. Konstatohet se në të gjitha konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit, të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave si dhe duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë kryerjes së procedurës së konkurrimit, – shprehet KSHC në raportin e Mbikëqyrjes në Ministrinë e Jashtme. Por shembulli tipik janë Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mbrojtjes. Në Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë këtij viti janë zhvilluar 46 konkurrime, ku kanë fituar ata që kanë qenë më parë në marrëdhënie pune kontraktuale me pozicionin. Po kështu, edhe në 17 raste në Ministrinë e Mjedisit, – vijon raportimin KSHC-ja.
Mungesa e besimit, bie cilësia e kandidatëve
Fenomeni ku në rastet e konkurseve për tu bërë pjesë e administratës fiton një person i paracaktuar ka dekurajuar qytetarët e tjerë që janë të interesuar për tu punësuar. Një gjë e tillë pasqyrohet gjerësisht edhe në raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil për vitin 2011. Pjesëmarrja e kandidatëve në të gjitha konkurrimet është në nivelin më të ulët të mundshëm. Tashmë rezulton se në përgjithësi, konkurrimet zhvillohen me 4-5 konkurrentë duke ulur ndjeshëm cilësinë e kandidatit që po përzgjidhet për shkak të listës së shkurtër të kandidatëve pjesëmarrës. Për të gjitha këto arsye që po përmendim, rezulton se besueshmëria ndaj procesit aktual të rekrutimit ka renë ndjeshëm, gjë që pasqyrohet edhe në raste e dështimit të procedurave të konkurrimit, – shpjegon në raportin e tij KSHC.
Madje ky institucion ka ofruar një shembull tipik për të parashtruar këtë situatë. Mësohet se Ministria e Drejtësisë ka disa muaj që po kërkon një Drejtor të Përgjithshëm të Planifikimit Shëndetësor, por konkurset për gjetjen e tij kanë dështuar pasi personat që i përkasin këtij profesioni nuk kanë pasur kurajën të hyjnë në garë duke besuar se edhe ai vend është i zënë nga dikush tjetër.
Ulja e interesit për të konkurruar për tu bërë punonjës të administratës bën ndërkohë që punonjësit e përzgjedhur të mos jenë më të mirët e mundshëm. Një shembull për këtë na vjen nga Ministria e Financave, të cilin KSHC e ka pasqyruar në raportin e tij të mbikëqyrjes në këtë institucion. Financat ishin duke kërkuar në punonjës për një pozicion të caktuar dhe shpallin konkurs. Pas testimit, kandidati i parë është vlerësuar me 69 pikë nga 100 të mundshme, i cili është shpallur edhe fituesi. Vendi i dytë ka marrë vetëm 18 pikë nga 100 të mundshme. Vendi i tretë është vlerësuar me 10 pikë, kurse kandidati i katërt, ka marrë vetëm 3 pikë nga 100 të mundshme.
Kjo situatë sipas KSHC-së ka sjellë si pasojë marrjen në punë të nëpunësve, jo sipas parimit të
barazisë dhe kriterit të meritokracisë. Kjo ka sjellë humbjen e besimit të fuqisë së lirë të punës, duke u shfaqur kjo në formën e humbjes së interesit e mospjesëmarrjes në konkurrime në rastet e shpallura e për pasojë kandidatë jo cilësorë. Personat e interesuar e konsiderojnë të kotë pjesëmarrjen në konkurrim, pasi ai kryhet vetëm si procedurë që të ligjërohet mbajtja në punë e personit të marrë me parë me kontratë- shpjegon Komisioni i Shërbimit Civil. E njëjta situatë ndërkohë vërehet edhe tek institucionet e tjera të mbikëqyruara gjatë vitit të shkuar, siç janë Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Punës, etj.
