Robertson:Maqedonia duhet të bëhet pjesë e NATO-s

“Besoj se Maqedonia duhet dhe do të bëhet pjesë e NATO-s dhe gjithashtu besoj se Shkupi dhe Athina mund të vijnë deri te kompromisi, lidhur me çështjen e emrit, gjë që më pas do t`i mundësonte vendit të bëhet anëtare e Aleancës dhe e BE-së”.
Kështu ka deklaruar ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.
“Mendoj se çështja për emrin duhet të zgjidhet me negociata midis liderëve politik të Maqedonisë dhe Greqisë, që të vihet deri te kompromisi i duhur. Besoj se asnjëra nga palët nuk do të jetë e kënaqur. Por, po të isha unë lider politik në Maqedoni do të bëja gjithçka që është e mundur që t`i shfrytëzoj përparësitë nga anëtarësimi në NATO, para së gjithash ato të sigurisë si dhe ato ekonomike të cilat do t`i sillte ai”, tha Robertson.
I pyetur se pse emri i cili është çështje bilaterale është pengesë për hyrjen e Maqedonisë në NATO, Robertson përgjigjet se “realiteti është i tillë që të bëhet ndonjë shtet anëtare i Aleancës, duhet pasur konsensus nga të gjitha anëtaret”.
"Me siguri këtu është një problem i cili duhet të zgjidhet me bisedime, diskutim, me diplomaci dhe me kompromis. Mendoj se populli në Maqedoni duhet të kthehet nga e ardhmja , ta shohë atë zgjidhje si mundësi për realizimin e të ardhmes më të mirë dhe të mos e lëshojë këtë moment të mundësisë për inkuadrim në NATO”.