E Shtunë, 31 Tetor 2026

Assadin s’e do më askush

Presioni kundër presidentit sirian, Bashar Al-Assad, po vjen duke u rritur. SHBA dhe shumë shtete të tjera perëndimore po kërkojnë haptas dorëheqjen e tij. Nga Express më 20 gusht 2011 në ora 08:19

Të enjten, presidenti amerikan, Barack Obama, kërkoi për herë të parë publikisht dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

“Amerika qëndron përkrah popullit sirian, i cili do të marrë në dorë fatin e tij”, theksoi Obama.

Presioni ndërkombëtar kundër presidentit Assad është rritur ndjeshëm të enjten. Ka ditë që qarkullonin zëra se Shtëpia e Bardhë do të kërkonte nga sunduesi sirian që të jepte dorëheqje. E të enjten, në një deklaratë të tij me shkrim, presidenti Obama për herë të parë e kërkoi dorëheqjen e presidentit Assad, për të mirën e popullit sirian. Obama e akuzoi presidentin sirian për masakrim të popullit të tij.

Pak pas deklaratës së Obamës, në konferencë për media doli edhe sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

"Tranzicioni drejt demokracisë në Siri ka filluar. Ka ardhur koha për Assad që të largohet", u shpreh, mes tjerash, ajo.

"Qeveria e Assadit është dënuar nga të gjitha anët e botës. Asaj i ka mbetur që t’i drejtohet vetëm Iranit, po qe se atje do të gjejë mbështetje për veprimet e saj brutale dhe të padrejta", nënvizoi Clinton.

Sekretarja Clinton po ashtu njoftoi se gjendja në Siri shumë shpejtë do të trajtohet edhe në Këshillin e OKB’së për Të Drejtat e Njeriut, gjatë një takimi të posaçëm në Gjenevë.

Me këto dy deklarata të dy zyrtarëve më të lartë amerikanë, SHBA’të qartazi rritën presionin ndaj pushtetmbajtësit sirian, Bashar al-Assad.

Deri të enjten, qeveria amerikane kishte dënuar ashpër dhunën kundër popullit sirian dhe ia kishte hequr të drejtën Assadit që të konsiderohet si kreu legjitim i shtetit sirian. Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane ashpërsoi dukshëm sanksionet kundër Sirisë, të cilat, sipas sekretares Clinton, “synojnë të izolojnë gjithnjë e më shumë presidentin jolegjitim”.

Pjesë e këtyre sanksioneve janë edhe ngrirja e pasurisë së pushtetarëve dhe qeveritarëve sirianë në SHBA, dhe ndalimi i qytetarëve amerikanë për të bërë biznes me Sirinë. Gjithashtu, në SHBA ndalohet edhe importimi i naftës dhe i produkteve të tjera të prodhuara në Siri.

SHBA s’do të ndërhyjë ushtarakisht në Siri

Përkundër gjithë kësaj, mundësinë e një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ushtarake të SHBA’ve në Siri, Clinton e përjashtoi kategorikisht. i “Ne e kuptojmë përpjekjen e madhe të popullit sirian, i cili e dëshiron përzierjen e ndonjë shteti tjetër në luftën e tyre. Ne e respektojmë këtë dëshirë", pohoi ajo, pa aluduar fare se SHBA’të po e shqyrtojnë ndonjë mundësi të tillë.

Të enjten, në një aksion të koordinuar mes Washingtonit, Berlinit, Parisit dhe Londrës, u kërkua pothuajse unanimisht dorëheqja e pushtetmbajtësit sirian. Në një deklaratë të përbashkët të kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez, Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit britanik, David Cameron, u theksuan të njëjtat kërkesa sikurse ato të presidentit Obama dhe sekretares Clinton.

Ndryshe, që nga fillimi i trazirave gjithëpopullore në muajin mars, qeveria e presidentit Assad ka orkestruar një varg sulmesh ndaj protestuesve, duke u bërë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 1,900 civilëve antiqeveritarë. DW

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›