E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premierliga, atraksion turistik

Vitin e kaluar, Britania e Madhe u vizitua nga 32 milionë turistë të huaj. Atraksionet janë të ndryshme, por në kohën e fundit është rritur numri i atyre që vijnë për të përcjellë ndeshje të Premierligës. Në vitin e fundit, Anglia është vizituar nga 750 mijë turistë posaçërisht për të përcjellë takimet e elitës së futbollit. Nga Express më 20 gusht 2011 në ora 08:21

Joshja e Premierligës ka sjellë shumë prej yjeve botërorë të luajnë futboll në Angli, e po ashtu zgjon numër të madh të tifozëve nga jashtë që vijnë për t’i parë ata.

Vitin e kaluar, Britania e Madhe u vizitua nga 32 milionë turistë të huaj, ndërsa më tepër se 750 mijë prej tyre kanë përcjellë ndeshje futbolli sipas statistikave të agjencisë kombëtare të turizmit VisitBritain, duke theksuar joshjen globale të futbollit anglez.

Gjatë këtij procesi, ata përforcuan ekonominë britanike pasi të gjithë ata vizitorë që përcollën nga një ndeshje shpenzuan bashkërisht 690 milionë euro. Ata vizitorë që përcollën një ndeshje futbolli shpenzuan mesatarisht 900 euro për dallim nga 650 eurot e mesatares së shpenzuar nga turistët e ‘thjeshtë’.

Duke llogaritur famën e futbollit anglez në Skandinavi, nuk është për t’u befasuar fakti se vizitorët nga Norvegjia udhëheqin në mesin e atyre që vijnë për të përcjellë ndeshje të Premierligës.

Një prej 13 turistëve norvegjezë vjen posaçërisht për të përcjellë ndeshje. Të dytët në listë janë vizitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, numri i të cilëve mund të rritet duke pasur parasysh lidhjet me Manchester Cityn, klub pronë e Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan dhe i sponsorizuar nga Etihad, aviokompania kombëtare e Abu Dhabit.

Rreth 40 për qind e atyre që përcollën ndeshje thanë se shikimi i sportit ishte arsyeja kryesore e vizitës së tyre në Britaninë e Madhe. Hulumtimi tregon se futbolli ndihmon në joshjen e vizitorëve gjatë periudhave të qeta të vitit, kur numri më i madh i vizitorëve përcjellin ndeshjet mes janarit dhe marsit.

Në mesin e atyre që vijnë në Britani për të parë familjen dhe miqtë, shumica e atyre që shkojnë për të përcjellë edhe një ndeshje futbolli vijnë nga Japonia, Kina dhe Australia. Sa u përket vizitorëve të biznesit, janë ata nga Norvegjia që përcjellin më së shumti ndeshje. Stadiumet më të vizituara nga vizitorët e huaj janë Old Trafford, Anfield dhe Emirates Stadium.

Premierliga transmetohet drejtpërdrejt në 212 shtete në botë, duke përfshirë Kosovën dhe autoritetet e turizmit në Britani janë duke punuar në eksplorimin e famës së futbollit anglez. Fatmirësisht VisitBritain nuk ka kërkuar ndihmë rreth promovimit nga Carlos Tevez, sulmuesi argjentinas i cili është kritik ndaj Anglisë.

Gjatë një interviste me një televizion argjentinas në qershor, i pyetur çka nuk është në rregull me qytetin e Manchesterit, Tevez, i cili ka paraqitur kërkesë për largim nga klubi, tha: “Moti, gjithçka. Nuk ka asgjë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›