Rock dhe politikë në PS
Të rinjtë e FRESSH kanë organizuar një aktivitet ndryshe nga të tjerët mbrëmjen e së premtes, teksa kanë ndërthurur politikën dhe argëtimin.
Aktiviteti ishte një kombinim midis debateve më të nxehta politike dhe sociale të momentit, ritmit klasik të violinës, ritmit tribal të muzikës më të fundit në treg, verës së mirë dhe të rinjve të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë më shumë se 200 të rin, të cilët u ulën në tryezat e rrumbullakta të verandës dhe nën ritmin e violinës filluan të debatojnë kryesisht për arsimin shqiptar, një nga temat më të rëndësishme për aktualitetin shqiptar.
Ky është takimi i parë, hapi i parë drejt organizimesh të këtij lloji. Ne do të bëjmë periodikisht aktivitete si ky, aktivitete të cilat nuk përmbajnë vetëm festa dhe kërcime, por edhe debate të sofistikuara. Në kryeqëndër të mbrëmjes së sotme dhe në kuadrin e përfundimit të vitit akademik, tema e debatit do të lidhet me sistemin arsimor. Problematikat e arsimit shqiptar janë shumë delikate dhe të veçanta në natyrën e tyre, sepse nuk mund të analizohen prej specialistëve. Analiza më e mirë e problematikave të arsimit mund të bëhet vetëm nga studentët. Ne, si studentë, dimë më mirë se cilido specialist problematikën e arsimit shqiptar, prandaj zëri ynë duhet të dëgjohet, tha
nënkryetarja e FRESSH për Universitetet, Joleza Koka.
Ndër të pranishmit ka qenë edhe deputetja Ledi shamku, e cila ka thënë se qeveria tallet me ne. Të gjithë ju, të gjithë të rinjtë do të kenë mbështetjen tonë maksimale, por edhe ne na duhet mbështetja juaj, forca juaj aktive. Ashtu si sot në këtë ambient të këndshëm, shprehini idetë tuaja pa frikë, me zë të lartë, që ata tju dëgjojnë mirë.
Ky ishte i pari nga një seri e gjatë aktivitetesh të ngjashme të cilat do të organizohen prej FRESSH, ku qëllim kryesor do të jetë gjithnjë përçimi i frymës ndryshe, dëgjimi i zërave të rinj, lufta e përbashkët ndaj skeptikëve të cilët deklarojnë se të rinjtë nuk kanë rëndësi, mendimet e tyre janë të papjekura, përfaqësimi i tyre i panevojshëm.