E Diel, 1 Nëntor 2026

Rohrabacher: Kujdes me regjistrimin e popullsisë në Maqedoni

Nga Express më 21 korrik 2011 në ora 14:01

Kongresisti amerikan Dana Rohrabacher deklaroi se në Maqedoni është i nevojshëm vëzhgimi nga afër i regjistrimit të popullsisë për shkak të indikacioneve për zvogëlimin e numrit të popullsisë shqiptare.
Kongresisti Rohrabacher këtë e ka bërë të qartë në një takim që ka zhvilluar në zyrën e tij në Uashington me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane të kryesuar nga ish-kongresisti Joe Dioguardi dhe bashkëveprimtarë të tjerë të kësaj organizate lobiste shqiptaro-amerikane, bën të ditur korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA në Uashington.

Sipas tij, regjistrimi i popullsisë duhet të zhvillohet në atë mënyrë duke respektuar rregullat bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe ti mundësohet shqiptarëve përfaqësimi në të gjitha aspektet.

Ai ka ndarë mendimin për mospërmbushjen e detyrimeve të kësaj marrëveshje të paqes,10 vite nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të mbahet prej 1 deri më 15 tetor të këtij viti, pas anulimit të tij më 1 prill, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Kongresisti amerikan Rohrabacher është informuar edhe lidhur me zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe regjistrimin e fundit të popullsisë në Mal të Zi, çështjen çame, etj.

Kongresmeni republikan i Kalifornisë Dana Rohrabacher ka bërë të ditur se është i gatshëm që të punojë me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane për shpalosjen e problematikave dhe realiteteve shqiptare në Kongresin Amerikan. Në takimin me kongresistin Rohrabacher kanë marrë pjesë edhe Shirly Cloyes Dioguardi, Zef Balaj, Gjergj Dedvukaj, Fero Gjonbalaj, etj. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›