Roku kosovar pushton Zvicrën

Republika e Kosovës për herë të parë u prezantua në mbrëmjen e vet në edicionin e 46-të të Festivalit prestigjioz të Jazz-it, “Montreux Jazz Festival” të Zvicrës.
Në këtë festival Kosova u përfaqësua nga grupet ODA, Jericho dhe Etno Classic, të cilët me talentin dhe pasionin e tyre elektrizuan atmosferën.
Siç njofton albinfo.ch, artistët e frymëzuar nga etja e publikut dhanë të gjitha që kishin në thellësinë e tyre, duke shpërndarë një energji të paharrueshme para syve të babëzitur dhe nostalgjik të diasporës, në një anë dhe atyre kuriozë dhe entuziastë, në anën tjetër.
Disa qindra njerëz, shqiptarë dhe zviceranë, pushtuan skenën për të përjetuar momente të paharrueshme. Të mahnitur nga atmosfera elektrike, e cila po zhvillohej pa mbarim, publiku pati rastin të ridëgjojë apo të zbulojë baladat e përziera herë-herë melankolike e herë-herë të zjarrta falë tri grupeve të pazëvendësueshme.
Pas një pune të MKRS-së dhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër, në marrëveshje me organizatën “Montreux Jazz 2 Foundation for Creative and Cultural Exchange” ishte siguruar që këtë vit Kosova të jetë shteti që do të ketë mbrëmjen e vet në këtë festival, në kuadër të netëve performuese “Eastern Delights” që mbahen në kuadër të Festivalit që disa vite. Po ashtu me një pavijon të veçantë u prezantua edhe kultura dhe trashëgimia e Kosovës.
Mbrëmja e Kosovës, e mbiquajtur “Kosovo Rocks”, e cila u mbajt më 3 korrik, ishte ndër që e entuziazmuan së tepërmi publikun. Duke folur për pjesëmarrjen e grupeve kosovare në këtë eveniment, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, kishte vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje përben një moment shumë të rëndësishëm për promovimin e artit dhe artistëve kosovarë.
“Paraqitja e Kosovës në këtë festival shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e vlerave tona dhe padyshim krijimin e mundësive më të mëdha për bashkëpunim të artistëve tanë me kolegët e tyre nga Evropa dhe bota. Ky është një nga hapat e rëndësishëm dhe që për herë të parë ka ndodhur vitin e kaluar dhe këtë vit, duke kujtuar këtu prezantimin tonë në Berlinale, Cannes si dhe në Bienalen e Venecias, që pritet të ndodh gjatë këtij viti. Padyshim se tashmë ne po bëhemi një pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të mëdha evropiane dhe botërore, si në muzikë, film dhe fusha tjera”, ishte shprehur më herët ministri Krasniqi.
Edicioni i parë i “Montreux Jazz Festival” është mbajtur në vitin 1967 dhe prej atëherë, ky eveniment ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore, ku kanë përformuar artistët më të njohur botëror si Ray Charles, Miles Davis, Eric Clapton, BB King, Deep Purple, Santana, Sting e shumë të tjerë.
Numri i vizitorëve dhe i biletave që janë shitur nëpër mbrëmjet e këtij festivali ka shkuar për çdo vjet duke u rritur, duke shkuar deri në mbi 200 mijë vizitorë. Si themelues i këtij festivali njihet Claude Nobs.
Edhe në këtë edicion u prezantuan emra të njohur të muzikës botërore si Tony Bennet, Bob Dylan, Alanis Morissette, Anastacia, Pat Metheny, Jessie J, etj.