Roli i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB, Meta: Të kontribuojë në forcimin e OBSH

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që Shqipëria, si anëtare jo e përhershme e Këshillin të Sigurimit në OKB, të fokusohet në kontribuimin për forcimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Me një postim në Facebook, Meta thotë se përmirësimi i shëndetit publik global është një urgjencë, në mënyrë që të parandalohen pandemi të mundshme të ardhmen. Për këtë, sipas kreut të shtetit, nevojitet një koordinim më i mirë botëror për sistemet e paralajmërimit të hershëm.
“Përmirësimi i shëndetit publik global është një urgjencë, për të parandaluar çdo pandemi të mundshme në të ardhmen. Nevojitet një koordinim më i mirë botëror për sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe gjurmimin e transmetimit, ndarjen e vaksinave, ilaçeve dhe pajisjeve, zhvendosjen e produkteve dhe pajisjeve mjekësore me rëndësi jetike, si dhe për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e kujdesit shëndetësor, kërkimit mjekësor dhe bioteknologjinë. Përparësia e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është të kontribuojë në forcimin e Organizatës Botërore të Shëndetit si autoriteti udhëheqës dhe drejtues për shëndetin global, duke qenë në qendër të arkitekturës botërore të shëndetit”, shkruan Meta.
Ndonëse situata me pandeminë e COVID në të gjithë botën nuk është më alarmante si dy vitet e kaluara, sërish OBSH ka theksuar se pandemia nuk ka përfunduar, duke bërë thirrje për kujdes.
Nga ana tjetër, shqetësime ka sjellë edhe përhapja e lisë së majmunit, por megjithatë zyrtarët shëndetësorë të OBSH kanë theksuar se nuk paraqet rrezik për një pandemi tjetër.
/rtsh.al/