E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Salianji: OFL e vettingu në polici, për t’u vënë gjoba krimit! Çuçi: U hoqëm pasuritë, largojmë efektivët që s’meritojnë uniformën

Veprimtaria 1-vjeraçe e Operacionit Forca e Ligjit dhe vettingu në Policinë e Shtetit për të pastruar institucionin nga efektivët e korruptuar kanë qenë në fokus të debatit në Kuvend gjatë interpelancës së ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, të thirrur nga deputeti demokrat Ervin Salianji.

Teksa i konsideroi si propagandë të qeverisë nismën e OFL dhe vetingun në polici, Salinjai tha se ata shërbyen për t’u vendosur gjoba kriminelëve dhe të përfshinte efektivët në fushatën e PS gjatë 25 prillit 2021.

“Qeveria ka propaganduar 2 nisma që i kemi debatuar që bëheshin për një arsye të caktuar, e para për të vendosur gjoba ndaj subjekteve kriminale dhe për t’i përfshirë në fushatën e 25 prillit dhe e njëjta gjë për propozimin për vetingun në polici ku kërkohej një kontingjent për t’i kërcënuar për tu përfshirë në fushatën e PS. Për operacionin Forca  e Ligjit, Rama trumbetonte, duhet t’ua bëjmë të parehatshëm atdheun atyre. Sipas tij, FBI do të bënte vetingun e policisë dhe do të bëhej testi i sinqeritetit. Ku jemi sot? Për ta kuptuar qytetarët, a ka qenë një nismë me letra? Cilat para pastrohen në Shqipëri? A janë realizuar qëllimet e OFL? Kam dërguar shkresë në kryeministri për të ditur listën e subjekteve të referuar para SPAK për të bërë me dije nëse ka selektivitet, a ka ndërhyrje politike, ka persona të favorizuar, a ka 2 standarde në zbatimin e aktit normativ, sa prej rasteve të referuar janë kthyer nga GJKKO për plotësim dokumentacioni. A janë arritur të realizohen qëllimet e OFL si bllokimi i pasurisë se po e shohim në këto hatatë që po dëgjojmë nga një prej kriminelëve se si prej personat që kryejnë vrasje me pagesë janë përfshirë në trafik drogë, në struktura të krimit të organizuar përmes familjarëve, kanë marrë para publike dhe tendera me miliona euro?”, tha Salianji.

Në përgjigje të pyetjeve dhe akuzave të Salianjit, ministri Çuçi u shpreh se vettingu në polici po sjellë pastrimin e këtij institucioni nga ata efektivë që nuk e meritojnë të mbajnë uniformën. Lidhur me rezultatet e OFL, Çuçi tha se opozita dhe qeveria duhet të jenë të bashkuara kundër krimit në mënyrë që t’u konfiskojnë pasuritë grupeve kriminale dhe t’i vendosin në shërbim të qytetarëve.

‘Numri total i subjekteve të hetuar nga Operacioni Forca e Ligjit është 2199, nga të cilët: 1682 janë subjekte të evidentuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë; 475 janë praktika të iniciuara nga vetë Struktura e Posaçme “OFL”; 42 janë subjekte të evidentuar nga Drejtoria e Antiterrorit. Ajo që mund të them është se vetëm në kuadër të Aktit Normativ për OFL, gjatë periudhës 01 Shkurt 2020 – 31 Dhjetor 2020, Policia e Shtetit ka hetuar 2199 subjekte, nga të cilët 741 subjekte janë njoftuar për të bërë vetë-deklarimin e pasurisë (prej të cilëve 617 subjekte të aktit dhe 124 lidhje familjare/shoqërore të subjekteve) dhe pas përfundimit të vetedeklarimit, 239 praktika janë referuar në SPAK. Çdo debat që vjen nga opozita është i shëndetshëm dhe i mirëpritur. Është e vërtetë se në qoftë ligji i OFL, apo ligji i Vetingut në Policinë e Shtetit, janë dy nisma atipike dhe unikale dhe si të tilla asnjëherë debati rreth tyre nuk është shterues. Ne do largojmë nga Policia e Shtetit ata që nuk e meritojnë uniformën. Do iu heqim nga duart pasuritë, për t’ia kthyer shoqërisë si formë shpagimi, por në këtë betejë ne duhet të jemi bashkë. Politika e ndasive dhe sherrit i duhen lënë një kohe tjetër, sepse nuk na çon asgjëkund”, tha Çuçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›