Deputeti Sula shkon në Kuvend me shportën me ushqime: Çmime jashtëzakonisht të larta, qeveria të marrë masa

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula është paraqitur këtë të enje në Kuvend me një shportë në dorë me ushqime bazë si shenjë proteste për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Sula bëri thirrje qeverisë të marrë masa urgjente, të indeksojë çmimet pasi janë të papërballueshme për pjesën më të madhe të shqiptarëve.
“Kjo është një shportë e cila çdo familje shqiptare përballet për tu ushqyer. Unë kam vajtur kam marrë produktet e shportës vaj, sheqer, oriz, makarona, djath, bukën e bëhet fjalë për çmimet dysheme më të ulëta pasi kam kontrolluar në gjithë supermarketet, aty ku janë çmimet më të ulëta këto bëjnë 30 mijë lekë të vjetra.
Çmimet janë jashtëzakonisht të larta, unë kam ardhur këtu sot vetëm në shenjë proteste. Këto çmime i përballojë deputetët e ministrat, por familjet shqiptare 80% të buxhetit e shpenzojnë për ushqime. I bëj thirrje qeverise t’i indeksojë çmimet dhe t’i japë familjeve sidomos atyre në nevoje. Imagjinoni një familje që merr 40 mijë lekë të vjetra në muaj asistence çfarë mund të bëjë? Situata është katastrofike. Protesta e djeshme është legjitime të gjithë kemi detyrën të bëjmë atë që kemi në dorë. Qytetarët t’i bëjnë presion kësaj qeverie të ndihmojë familjet se janë të papërballueshme çmimet”, u shpreh deputeti Sula.
Pushtimi i Ukrainës ka shkaktuar rritje të çmimeve të ushqimeve jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Në vend, për të penguar abuzimet, qeveria ka ngritur Bordin e Transparencës që vendos çmimin tavan për naftën dhe Bordin e Ushqimeve për përcaktimin e çmimeve tavan të produkteve bazë ushqimore.
/rtsh.al/