E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roli i pazbuluar i Shqipërisë në luftën e Kosovës

Hotel Drenica ende është hapur në bregdetin e Durrësit në Shqipëri, që laget nga Adriatiku dhe bën pjesë në një vijë të gjatë të hoteleve dhe restoranteve të cilat presin verën për turistë dhe fluks njerëzish.

Fëmijët zhytën për herë të parë në ujin e detit të ngrohur në këtë sezon, derisa prindërit e tyre pinë kafe dhe shikojnë ata nga tarracat, kurse djemtë luajnë futboll në rërë. Lidhjet e tyre me fqinjët në Kosovë, janë të thella. Mijëra refugjatë kanë gjetur strehim këtu gjatë luftës dhe njerëzit e këtushëm janë krenarë për rolin e tyre në ndihmë shqiptarëve etnikë në momentin kur ata kishin nevojë.

Shumë bare kanë emra që ndërlidhen me Kosovën. Në vitin 1998-99, Hotel Drenica ishte qendra e gjithçkaje- ishte selia kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty qëndron ende i gdhendur në murin e kuq prapa një ndërtese hoteli, ushtari dhe inicialet UÇK. Por arrestimi i Sabit Gecit në Prishtinë, më 6 maj, dhe hetimet për krime lufte të njësitit të EULEX-it- Misionit Evropian për Sundimit të Rendit dhe Ligjit, - duket se do të tregojë rolin e Durrësit nga një këndvështrim tjetër.

Z. Geci, 51 vjeç, akuzohet për tortura dhe vrasje të shqiptarëve etnikë të burgosur nga UÇK-ja në një bazë të UÇK-së, në verilindje të Shqipërisë në qytetin e Kukësit në vitin 1999. Sipas hetuesve, disa nga 40 persona të torturuar në Kukës, ishin të paraburgosur në Durrës. Kishte gjithashtu edhe serbë të burgosur që mbaheshin në Kukës- të kidnapuar dhe të kontrabanduar përmes kufirit dhe mbaheshin të ndarë në dhoma. Avokatët e z. Geci hedhin poshtë të gjitha dyshimet duke thënë se ai ka qenë duke u mjekuar në Slloveni në kohën kur EULEX-i e ngarkon, për periudhën prill-qershor 1999.
Marrja në pyetje

Kur ushtria serbe dhe forcat paramilitare hynë në Kosovë në pranverën e vitit 1999, dëbuan me forcë 800 mijë shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe vranë më shumë se 10 mijë persona, shumë prej refugjatëve u strehuan në Shqipëri. Por disa qëndruan në kampe refugjatësh afër kufirit. Të tjerët ishin shpërndarë brenda vendit, pikërisht në sezonin turistik, të cilët e gjetën Durrësin si vend mjaft të përshtatshëm.

Por UCK-ja ishte duke u kujdesur për disa të mbërritur të rinj. Pse disa djem të rinj nuk u ishin bashkuar radhëve të tyre në një konflikt të dëshpëruar me serbët? A mos kishin bashkëpunuar disa prej tyre në të kaluarën me serbët? Mos disa u përkisnin grupeve të tjera rivale politike dhe fraksioneve ushtarake? Mos ishte dërguar dikush nga serbët si spiun për të zbuluar furnizimin e UCK-së me ushtarë dhe armë? Në Durrës, marrja në pyetje në këtë mënyrë është bërë në Hotel Drenica. “Gjëra të këqija kanë ndodhur këtu”, thotë një burrë në plazhin e Durrësit, duke shikuar në drejtim të Hotel Drenicës, “por nuk dua të flas për ato”.

Autobusët të stolisur me flamurin shqiptar me ngjyrat kuqezi, morën rekrutët vullnetarë- dhe ata më pak vullnetarë- dhe i kthyen sërish në front. Disa burra ishin marrë si të burgosur dhe ishin mbajtur në kushte të tmerrshme brenda kampeve të UCK-së. Një prej tyre në Kukës, vendosur në një fabrikë, ishte ndër më të këqijtë.

Hulumtimi i BBC-së vitin e fundit kishte kontaktuar ish-të burgosur. “Ne na kapte paniku sa herë që hapej dera, tmerroheshim se cilin prej nesh do ta merrnin”, kishte thënë një i mbijetuar i Kukësit. “Nuk kishte roje të mira aty. Një i cili kishte ardhur nga fronti dhe kishte humbur të afërmit na godiste dhe kërcënonte me rafalët e automatikut”. “Një burrë e vranë para të burgosurve në atë dhomë, ku isha edhe unë. Ai u qëllua dhe u la të vdiste nga gjakderdhja”. Ai do të mund ta kuptonte tërë këtë keqtrajtim, nënvizon dëshmitari, nëse do të kishte qenë vërtet tradhtar i kauzës shqiptare.

Keqpërdorimi i uniformës

Kryeministri i Kosovës dhe ish-komandant dhe politikan i UCK-së, Hashim Thaci, vitin e kaluar mohoi se UCK-ja ka keqtrajtuar të burgosurit në Kukës ose diku tjetër. Ai i ka thënë BBC-së: “Thjesht nuk ka ndodhur. Në asnjë kohë, në asnjë rast, në asnjë vend.... kjo nuk ka të bëjë asgjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. Ai pranon se krimet kanë ndodhur pas luftës, por tha se fajtorët e kanë bërë këtë duke “pretenduar se i takonin UCK-së”, duke keqpërdorur uniformën e tyre. Por hetuesit për krime të luftës në EULEX, besojnë se z. Geci, për të cilin thuhet se ka qenë një figurë kyçe e inteligjencës së UCK-së në Kukës, ka marrë pjesë atje në rrahje.

Më 12 maj, shtëpia e një të dyshuari tjetër shqiptar të Kosovës, Xhemshit Krasniqi, në perëndim të Kosovës, në qytetin e Prizrenit, është bastisur. Thuhet se disa gjëra janë marrë. EULEX-i ka trashëguar 980 dosje të krimeve të luftës nga misioni në largim i Kombeve të Bashkuara. Ata kanë arritur që rastet t’i ngushtojnë në 20 sish, dy prej të cilave përfshijnë ato jashtë kufirit me Kosovën, në Shqipëri.

Por ata thonë se kërkesa e tyre për ndihmë nga Qeveria shqiptare- për të vizituar ish-kampet, intervistat me dëshmitarë dhe ekshumimi i varrezave masive- është penguar. Në shkurt të këtij viti, Philip Alston, raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për vrasjet jashtëgjyqësore, ka vizituar Shqipërinë dhe ka raportuar se “asnjë nga përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të hetuar në Shqipëri, nuk ka gjetur përkrahjen dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Shqipërisë”.

Ilir Meta, zëvendëskryeministër i Shqipërisë dhe ministër i Punëve të Jashtme e mohon këtë. “Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë në bazë të ligjit...duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe komunitetin ndërkombëtar dhe mendoj se për çdo kërkesë... ne do të japim përgjigjen e duhur”, i tha ai BBC-së. “Përfshirë edhe EULEX-in”, është pyetur ai nga BBC. “Pse jo?”, u përgjigj ai. BBC (Përktheu: Jeton Musliu)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›