E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin procedurat

Prokuroria serbe për krimet e luftës ka urdhëruar fillimin e hulumtimeve për zbulimin e varrit masiv në afërsi të Rashkës, ku besohet të jenë trupat e 250 shqiptarëve nga Kosova.

Duke u bazuar në deklaratën të lëshuar të martën në Beograd, kjo prokurori dëshiron që Gjykata serbe për krime të luftës të bëjë hetime të kompletuara në këtë lokacion, në mënyrë që të konfirmohet nëse aty ka varr masiv apo jo.

Kështu kanë deklaruar të martën mediat serbe në Beograd. Sipas këtyre mediave, Prokuroria serbe po ashtu ka urdhëruar që nëse në Rashkë do të ketë varr masiv, atëherë do të bëhet zhvarrosja dhe autopsia e eshtrave, në mënyrë që të bëhet identifikimi i viktimave.

Po ashtu bëhet e ditur se gjykatësit hetues i është sugjeruar që të bëjë hetimin në prani të zyrtarëve të EULEX-it nga Prokuroria për Krime Lufte, Policia e Serbisë, Komisionit qeveritar për personat e zhdukur si dhe Grupi i Punës për Personat e Zhdukur nga Prishtina.

Mirëpo, zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur kanë pohuar se gjatë tërë ditës së martë nuk kanë marrë ndonjë informacion për ndonjë zhvillim të mundshëm në çështjen e Rashkës.

“Nuk kam ndonjë informacion nëse ka filluar zhvarrosja e trupave që dyshohet se janë në atë vend”, thotë Prenk Gjetaj, kryetar i këtij komisioni.

Ai nuk është i sigurt nëse komisioni që drejton ai do të jetë prezent gjatë proceduarve ligjore që pritet të kryhen në këtë varrezë masive të dyshuar.

Gjetaj tregon se përmes Kryqit të Kuq të Kosovës ka kërkuar të ketë një takim me palën serbe, por se sipas tij, ende nuk i është kthyer një përgjigje pozitive.

Kemi kërkuar takim me delegacion e Beogradit përmes Kryqit të Kuq, por ende nuk kanë dhënë përgjigje. Ata thonë se kanë disa arsye objektive. Mirëpo, gjatë kësaj jave kemi kërkuar takim urgjent me ta dhe besoj se do të njoftohemi me ngjarjet në vazhdim”, thotë Gjetaj.

Ndërsa edhe zyrtarët e Kryqit të Kuq të Kosovës pohojnë se nuk kanë marrë ndonjë njoftim nga Beogradi për fillimin e hulumtimeve për zbulimin e varrit masiv në afërsi të Rashkës.

“Nuk ka asgjë në atë drejtim”, thotë Idriz Gashi, zyrtar për media në Kryqin e Kuq të Kosovës.

Mirëpo, ai beson se delegacioni kosovar do të jetë prezent në procesin e zhvarrimit të viktimave që besohet të jenë varrosur në atë varr masiv.

“Sikurse në rastin e Medvegjës, kur ka qenë edhe delegacioni i Prishtinës, po ashtu besojmë se edhe kësaj here do të jetë prezent edhe gjatë procesit të zhvarrimit dhe hetimeve të vendit në Rashkë”, thotë Gashi

Ndërkohë, Shoqata e familjeve të serbëve të zhdukur nga Kosova po tentojnë të pengojë ekshumimin e varrezës masive në Rashkë, duke kërkuar që në të njëjtën kohë të fillojnë kërkimet për varrezë masive në Kosovë.

Koordinatori i Shoqatës së të zhdukurve, Milorad Trifunoviq, ka thënë se kjo shoqatë, në të kundërtën, do të pengojë gërmimin në vendndodhjen në Rudnicë afër Rashkës. Ai ka thënë se familjet e serbëve të zhdukur ka katër vjet që po presin të fillojë zhvarrimi në disa lokacione të dyshuara në Kosovë.

Momentalisht, sipas serbëve, figurojnë të zhdukur 1709 serbë dhe joshqiptarë në Kosovë. Para dy javësh u bë e ditur nga Prokuroria serbe për Krime Lufte se në afërsi të Rashkës janë varrosur rreth 250 shqiptarë të Kosovës, të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›