Romeo e Zhulieta, me muzikë të Morrisonit e Stingut

Regjisori italian, Karlo Bruni
Do ta bëjmë shfaqjen me këto që kemi. Kështu vendosi regjisori italian Karlo Bruni kur erdhi në Shqipëri dhe e ndau mendjen se mes Pirandelos dhe Shekspirit, do të vinte këtë të fundit.Dhe pikërisht Romeo dhe Zhulietën. Nesër në mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet një nga tragjeditë më të bukura të dashurisë të të gjitha kohërave, që regjisori italian ka vendosur ta quajë Amaro Amore (Dashuri e hidhur). Kjo sepse në skenën e Kombëtarit nuk do të ngjitet varianti klasik i tragjikomedisë, por një ripunim i tekstit të Shekspirit. Dje, në një konferencë për shtyp, realizuesit e shfaqjes shpjeguan se si do të vijë kjo vepër për publikun shqiptar. Mënyra se si kemi zgjedhur të vëmë Romeo e Zhuljeta u kushtëzua nga mundësitë materiale. Ne po bënim audicionet në janar dhe një natë, jashtë dëgjuam të shtëna. Ishte një moment dramatik. Atë ditë pati një ndryshim rrënjësor të vënies skenike të Romeo dhe Zhuljeta. Në atë rast na u bë më e qartë se çfarë mund ta përfaqësonte më mirë konfliktin. Atë ditë na u duk shumë e arsyeshme zgjedhja që bëmë: të mos vinim në skenë armiqtë, por ti bënim të jetonin brenda nesh. Duhet të punoja me 9 aktorë, të cilëve, në një farë pike iu shtua një fëmijë, tha regjisori Bruni, duke iu drejtuar drejtorit Kristaq Skrami, i cili mund të tregonte më mirë se ai se sa e kushtëzojnë një shfaqje
![romeo e zhulieta[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2011/04/romeo-e-zhulieta1-200x300.jpg)
Posteri i shfaqjes Dashuri e hidhur
mundësitë financiare, kohën që ke. E rëndësishme është që këto arsye të mos i vënë kufij shfaqjes, por të kthehen në përbërës. Mua nuk më pëlqen të thuash se nuk e bëra dot një gjë se më mungonte kulla Eifel. Do ta bësh shfaqjen me ata që ke. Ne u nisëm me këtë ide: kemi këto mundësi, të punonim një muaj, që është pak për realizimin e një shfaqjeje. Por vendosëm të marrim këtë rrugë dhe mendoj se është një rrugë e mirë, vazhdoi ai. Këtyre mundësive regjisori i përshtati numrin e aktorëve, por edhe skenografinë e kostumografinë. Ndryshe nga çmund të mendohet, skenografia do të jetë fare bosh, me vetëm disa stola të drunjtë dhe kostumet e realizuara nga Anila Zajmi do të jenë fare të thjeshta.Aktorët
Për të ngjitur në skenë Romeo dhe Zhulieta, Bruni ka përzgjedhur vetëm 9 aktorë, gjysma e të cilëve të panjohur. Kështu, në rolin e Romeos interpreton Andi Begolli, në të Zhulietës, Erieta Cufaj, Florand Veizi në rolin e Benvolios, Kamber Mici në rolin e Merkucios dhe Ervis Fjora në rolin e Destinit. Ndër emrat e njohur janë Yllka Mujo, në rolin e Vajës, Olta Daku, të shërbëtores, Dritan Boriçi të priftit, Monika Lubonja të nënës dhe Elia Zaharia në rolin e Rozalindës. Kjo e fundit e ka të dytin rol në skenën e TK-së, pas atij në Shtrigat e Salemit, por sigurisht, roli i Rozalindës nuk ka peshën e personazhit të Abigeilës.
Muzika
Po kaq e ndryshme do të jetë edhe muzika, e cila është konceptuar si një element shumë i rëndësishëm i veprës. Mendoj se muzika është shumë e rëndësishme në këtë punë. Unë jam aktore dhe kam punuar shumë me dance-teatër, prandaj jam shumë e lidhur me muzikën. Kur filluam këtë punë mendova se nuk duhet të ishte vetëm recitim i thjeshtë, por duhet të ishte recitim me trupin. Muzika është pjesë e kësaj dramaturgjie, thotë Nunzia Antonino, asistentregjisorja dhe përzgjedhësja muzikore. Ka lloje të ndryshme muzike, por besoj se janë në harmoni. Është Çelentano, por edhe Sting, prej të cilit kam zgjedhur pjesë nga tre albumet e tij të parë. Duke e dëgjuar më është dukur sikur fliste për Romeon e Zhuljetën. Karakterit të Markuçios i kam bashkangjitur Xhim Morrisonin. Por do të ketë edhe këngë siciliane e shqiptare. Dëshiroja të kishte diçka dhe nga kultura juaj, thotë ajo.
Yllka Mujo
Të luante në Romeo dhe Zhulieta ka qenë një ëndërr e hershme e saj. Nuk mundi dot të luante Zhulietën e sot vjen në rolin e Vajës, dados dhe këshillueses së Zhulietës. Për aktoren Yllka Mujo të qenit pjesë e shfaqjes, me regji të Karlo Brunit, ishte një rast për tu shënuar. Ajo nuk mund të mos vlerësojë atmosferën e krijuar në teatër gjatë punës për këtë shfaqje. Më intereson se si do ta presë publiku. Kjo është pika më interesante, është takimi i gjithë punës që kemi bërë. Besoj se do të kënaqen nga kjo prurje e freskët që ka një vizion ndryshe, thotë Mujo, e cila luan së bashku me të bijën, Elia Zaharia. Ka qenë një bashkëpunim i mrekullueshëm i brezave. Kemi shkuar në harmoni me njëritjetrin, kjo ka të bëjë me atmosferën e punës. Puna me përkushtim, me pasion, me orare të zgjatura, që ndoshta në teatër nuk është e zakonshme, na ka bërë të jemi më energjikë, më të përgatitur, më pranë kësaj skene, që me të vërtetë i ka vitet mbi çati, por ne shpresojmë që do ta bëjmë të re duke filluar nga e premtja, tha Mujo, e cila u shpreh me superlativa për punën e regjisorit italian dhe asistentes së tij. Jam e kënaqur që bëj pjesë në këtë shfaqje, ka një rigjenerim të këtij ekipi.
ALMA MILE