Diego Milito, drejt rikthimit te Xhenoa
Me fundin e këtij sezoni, janë të shumtë lojtarët që mund të largohen nga Interi, një pjesë e mirë e të cilëve janë ata që një vit më parë fituan 5 trofe me fanellën zikaltër. Një prej tyre është edhe Diego Milito. Sulmuesi argjentinas, me prurjet e reja që pritet të marrë Morati në merkaton e verës, nuk do ketë më hapësirë në formacionin e Interit dhe është thuajse i sigurt largimi i tij. Milito nuk është më në listën e të pashitshmëve dhe në horizont është shfaqur Xhenoa, ish-skuadra e tij: mësohet se Preciozi do tentojë që ta veshë El Principen me fanellën kuqeblu për të tretën herë. Momentalisht, ky projekt shihet më shumë si ëndërr, sesa si diçka e realizueshme. Kjo, jo për mungesën e disponibilitetit të lojtarit, i cili në moshën 32-vjeçare nuk do kishte probleme që të pranonte një skuadër dhe një qytet që e ka në zemër, por për shkak të kostos së tratativës. Duke hipotetizuar që zikaltrit nuk do ta ngrenë çmimin e kartonit, lojtari ka një kontratë me klubin e Milanos deri në vitin 2014, që shkon deri në 5 milionë në sezon. Kjo shifër është e papranueshme për Preciozin, pavarësisht dëshirës së madhe që ka ai për ta marrë sërish Militon në skuadër. Por, argjentinasi mund të përdoret për të marrë Mimo Krishiton dhe gjysmën e kartonit të Hausine Karzhasë.